Bujar Hudhri flet për gjendjen shëndetësore të Ismail Kadaresë: Ishte i dobët fizikisht, iku i lumtur…

Botuesi i Ismail Kadaresë, Bujar Hudhri, tregoi se si ishte gjendja e tij shëndetësore para se të vdiste. Në një intervistë për Top Channel, Bujari thekson se Kadare ka qenë i dobët fizikisht, por me një dëshirë të madhe për të dalë dhe për të takuar miqtë e tij.

Po ashtu, Hudhri thekson se homazhet për Kadarenë janë marrë përsipër nga kryeministri Edi Rama.

Hudhri:Nuk e kisha menduar një lajm të tillë, kam menduar që një shkrimtar i madh si Kadare nuk i përket kësaj bote, por një planeti paralel të letërsisë. Më trishton që Kadare më thoshte që shtëpia botuese është shtëpia e dytë e shkrimtarit dhe më shumë se kurrë i ndjej këto fjalë. Unë e kam ndjerë gjithmonë këtë raport timin, unë jam botuesi i tij”.

A iku me ndonjë merak Kadare, çfarë bisedonit?

Hudhri:Mendoj që ka ikur i lumtur, edhe pse nuk i shkon letërsisë së tij kjo fjalë. Ishte i lumtur që vjet Onufri nxori veprën e tij të plotë, që koicidonte 70 vjet me letërsinë e tij, në ato 7 vëllime herë 1000 faqe, jam i lumtur që kjo vepër madhështore u promovua në panairin e librit në Prishtinë. Ishte një atmosferë që Kadare u ndje shumë mirë”.

Si ka qenë gjendja e tij shëndetësore?

Hudhri:Ka qenë i dobët fizikisht, kishte dëshirë të dilte, dilte me vështirësi. Dilte te kafja e tij e preferuar, me miqtë e tij. Ishte në Tiranë dhe kanë qenë orët e tij më të bukura në kafene duke biseduar dhe takuar njerëz”.

A jeni kontaktuar nga personalitete të huaja?

Hurdhi:Kadare është pjesë e thesarit botëror, mori çmimet më të larta, vlerësimi më i madh është që është në panteonen e letërsisë botërore. Një shkrimtar nuk ka lindje dhe vdekje, nuk ka një kufi kohor”.

Kush do të kujdeset për homazhet?

Hurdhi:Homazhet janë marrë përsipër nga Kryeministri”.


Shtuar 1.07.2024 12:59