BSH:Ekonomia do të vijojë të rritet gjatë viteve në vijim

Banka e Shqipërisë vlerëson se, ekonomia do të vijojë të rritet gjatë viteve në vijim, duke u mbështetur nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe i eksporteve, e në veçanti nga ato të turizmit.

Sipas Raportit të Politikës Monetare për tremujorin e parë të 2024, kjo rritje do të përkthehet në rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave, si dhe të mirëqenies së familjeve shqiptare.

Ndërsa inflacioni parashikohet të ulet gradualisht dhe të kthehet në objektivin tonë prej 3% në gjysmën e dytë të vitit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjendja ciklike e ekonomisë vijon të mbetet pozitive.

Punësimi ka vazhduar të rritet dhe norma e papunësisë ka rënë, ndërsa hendekët e prodhimit, të punës dhe të shfrytëzimit të kapaciteteve mbeten në kahun pozitiv. Tregu i shtrënguar i punës ka vijuar të nxisë rritjen e pagave në sektorin privat.

Ndërsa treguesit kryesorë të shëndetit ekonomik dhe financiar të ekonomisë: borxhi publik, borxhi i huaj dhe treguesi i kredive me probleme, shënuan përmirësim.

Në pasqyrim të tyre, kredia për sektorin privat ka ardhur në rritje, duke furnizuar ekonominë me fondet e nevojshme për zgjerimin e aktivitetit dhe për mbulimin e nevojave me likuiditet.

BSH-ja konstaton se, ekonomia shqiptare ka përfituar edhe nga rritja e shpejtë e të ardhurave nga turizmi, të cilat kanë kompensuar rënien e eksporteve të mallrave dhe kanë sjellë një përmirësim të dukshëm të bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë.

Gjithashtu edhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një kontribut të rëndësishëm në këtë tablo zhvillimesh.

Forcimi i kursit të këmbimit, si dhe reagimi i politikës sonë monetare kanë ndihmuar në rënien e inflacionit nga niveli 7.4% në nivelin 4.0% në harkun kohor të vitit 2023, duke sjellë normalizim gradual të treguesve dhe reduktimin e pasigurive për të ardhmen.

Banka e Shqipërisë shprehet se, do të vijojë të ndjekë me vëmendje zhvillimet ekonomike dhe do të kujdeset që nëpërmjet politikës së saj monetare të krijojë kushtet e përshtatshme për respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve.

“Qëndrimi ynë i politikës monetare i shprehur nëpërmjet nivelit të normës bazë të interesit

do të synojë të garantojë kthimin e inflacionit në objektiv, në një kohë sa më të shkurtër dhe me kosto sa më të ulëta mbi aktivitetin ekonomik.

Gjithashtu, ky qëndrim do të jetë konsistent me balancën e presioneve të përgjithshme inflacioniste, me politikën fiskale dhe me ecurinë e kursit të këmbimit, si faktorë me ndikim parësor në ecurinë e inflacionit”, thekson raporti i BSH-së.


Shtuar 15.02.2024 20:55