BSH: Rritja e çmimeve është e përkohshme, kthimi në normalitet në vitin 2022

Banka e Shqipërisë parashikon se rritja e çmimeve do të jetë kalimtare në ekonominë vendase dhe se situata do të kthehet sërish në normalitet vitin që vjen.

Në një shpjegim të posaçëm për “Monitor”, Banka Qendrore e vendit sqaroi se rritja e çmimeve po vjen nga kanalet e importit prej tregjeve globale. Por sipas saj, inflacioni ndikohet nga disa dinamika të brendshme si ecuria e punësimit, e pagave dhe kërkesa e brendshme. Për momentin, banka vlerëson se dinamikat e çmimeve në tregjet botërore do të kenë ndikim kalimtar në inflacionin e çmimeve të konsumit në vend.

Banka e Shqipërisë thotë se në parim, ajo reagon me ndryshimin e qëndrimit të politikës monetare (normat e interesit) vetëm në momentin kur ajo dikton se goditjet – qofshin ato dhe afatshkurtra – të kërkesës apo të ofertës rrezikojnë të përkthehen në trende të qëndrueshme afatmesme dhe afatgjata, të tilla që të vënë rrezik përmbushjen e misionit të saj të stabilitetit të çmimeve.

Aktualisht norma bazë e interesit, instrumenti që përdor Banka e Shqipërisë për të ndikuar tregjet, është në nivelet minimale historike prej 0.5%. Ulja e fundit u shënua në mars 2020, kur me fillimin e krizës pandemike, institucioni monetar qendror ndërhyri për të nxitur ekonominë. Që prej marsit 2011 (kur norma bazë ishte 5.25%), politika monetare ka qenë veç në kahun lehtësues.

Çmimet e lëndëve të para në tregjet globale po rriten me shpejtësi (nafta, energjia, gruri, kafeja, etj.), çfarë implikimesh ka kjo në ecurinë e inflacionit në vendin tonë?

Çmimet e mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare kanë shfaqur një tendencë të shpejtë rritëse, duke nisur prej gjysmës së dytë të vitit 2020. Kjo ecuri ka pasqyruar një korrektim të shpejtë të çmimeve në tregun ndërkombëtar, pas zhbalancimit të kërkesë-ofertës gjatë periudhave të pikut të pandemisë dhe të masave kufizuese që u ndërmorën për kontrollin e përhapjes së saj. Megjithatë, për sa kohë kjo rritje e çmimeve të lëndëve bazë pasqyron një korrektim të zhbalancimeve të mëparshme, ajo pritet të jetë e përkohshme. Në të ardhmen, stabilizimi dhe normalizimi i raportit kërkesë-ofertë pritet të shoqërohet me një ecuri më të qëndrueshme të çmimit të këtyre artikujve në tregjet botërore.

Në planin lokal, rritja e çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore ka ushtruar presion rritës tek disa kategori çmimesh, kryesisht tek ushqimet e përpunuara (bukë, drithëra, etj.) dhe nafta.

Ecuria e çmimeve të konsumit në vend, sikundër matet dhe publikohet nga INSTAT-i, tregon se kontributi i këtyre artikujve në formimin e inflacionit ka ardhur në rritje gjatë muajve të fundit. Këto zhvillime pritet të jenë të pranishme dhe në pjesën e mbetur të vitit 2021. Megjithatë, analizat dhe vlerësimet tona sugjerojnë se ky kontribut do të reduktohet gradualisht në të ardhmen, në linjë me stabilizimin e pritur të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe të rikthehet në parametrat e tij historikë.

Sa më sipër, Banka e Shqipërisë parashikon një rritje graduale të inflacionit drejt objektivit 3%. Inflacioni parashikohet të arrijë objektivin brenda vitit 2022 dhe të qëndrojë i ankoruar në horizontin afatmesëm.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë gjen me vend të theksojë se zhvillimet në tregun e lëndëve bazë janë pjesë e vazhdueshme e analizave dhe faktorizohen në parashikimet tona dhe vendimmarrjen tonë të politikës monetare. Goditjet e ofertës që vijnë nga luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare do të jenë subjekt i reagimit të politikës monetare vetëm në masën që ato rrezikojnë një shmangie të fortë apo të gjatë në kohë të inflacionit nga objektivi. Në këtë rast, këto goditje do të rrezikonin të ndikonin ndjeshëm pritjet e operatorëve të ekonomisë mbi inflacionin dhe – për pasojë – do të ndikonin vendimmarrjen e tyre.

Sa elastik është inflacioni i importuar në Shqipëri? (A reflektohen në intervale kohe të njëjta çmimet në tregjet ndërkombëtare dhe në rastet kur ulen, dhe kur rriten)?

Ecuria e çmimeve të mallrave bazë apo të atyre të konsumit në tregjet ndërkombëtare ushtron një rol të rëndësishëm në përcaktimin e dinamikës së çmimeve në Shqipëri. Kjo ecuri është në linjë me peshën e konsiderueshme që kanë artikujt e importit në shportën e konsumit dhe në strukturën e përcaktimit të kostove në ekonomi.

Studimet dhe analizat tona tregojnë se përçimi i inflacionit të importuar në çmime finale në ekonomi është i kushtëzuar si nga intensiteti i goditjes, ashtu edhe nga pozicioni ciklik i ekonomisë vendase në momentin e goditjes.

Për të qenë më konkretë, ndryshimet e mëdha apo të qëndrueshme në kohë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare tentojnë të kenë një përcjellje më të madhe dhe më të shpejtë në tregjet vendase. Në të njëjtën kohë, kjo përcjellje rezulton të jetë më e fortë dhe më e shpejtë në rastin kur kërkesa e brendshme agregate është e fortë – apo në rritje të shpejtë – dhe anasjelltas.

Nga grupmallrat e importit, cili artikull ka ndikimin më të madh në inflacion, po nga tregu vendas, cilët artikuj kanë peshën më të madhe në luhatjen afatshkurtër të inflacionit?

Analizat dhe vlerësimet tona tregojnë se, në gamën e artikujve të importuar të shportës së mallrave të konsumit, ata me ndikimin më të madh në inflacion janë artikujt që i përkasin industrisë ushqimore dhe karburantet.

Analiza jonë tregon se luhatjet në çmimet e frutave dhe perimeve janë shkaktarët kryesorë të luhatjeve të inflacionit gjatë tremujorëve të fundit. Këto çmime janë më të ekspozuara ndaj goditjeve të ofertës dhe kanë një peshë relativisht të lartë, prej 9.5%, në shportën e konsumit – në ngjashmëri kjo me shumë ekonomi rajonale dhe në zhvillim – duke e bërë inflacionin në Shqipëri të ndjeshëm ndaj luhatjeve të tyre.

Çmimet e frutave dhe perimeve kanë njohur luhatshmëri të lartë gjatë dy viteve të fundit, si pasojë e zhbalancimit të kërkesë-ofertës gjatë periudhës së mbylljes së ekonomisë si dhe pasigurisë së lidhur me pandeminë. Nga ana tjetër, çmimet e karburanteve kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e çmimeve të shportës së konsumit, si dhe ndikim indirekt në çmimet e tjera – kryesisht te çmimet e shërbimeve – nëpërmjet kanalit të kostove.

Megjithatë, ndonëse presionet nga çmimet e artikujve të importuar mbeten të rëndësishme, analizat tona tregojnë se ato kanë ndikim afatshkurtër në inflacion. Në të kundërt, kontributin kryesor në formimin e inflacionit në vend e japin presionet e brendshme inflacioniste, të cilat përcaktohen nga gjendja ciklike e ekonomisë dhe pritjet inflacioniste. Konkluzioni mbështetet dhe nga ecuria e inflacionit bazë në vend. Ky tregues, i cili shmang ndikimin e çmimeve me natyrë të luhatshme dhe – si i tillë – është një tregues më i mirë i balancës së presioneve inflacioniste afatmesme, është shfaqur i qëndrueshëm, duke kontribuuar në zbutjen e luhatshmërisë së përgjithshme të inflacionit.

Banka ka referuar në raportet periodike të Politikës Monetare se ka ndërtuar modele për të parashikuar ndryshimet në të gjitha elementet që ndikojnë çmimet dhe për parashikuar inflacionin deri në tre vjet. Çfarë sugjerojnë këtë modele për nivelin e pritshëm të inflacionit në tre vitet në vijim?

Banka e Shqipërisë përdor modele të ndryshme makro-ekonometrike për të informuar vendimmarrjen e politikës monetare. Struktura e këtyre modeleve reflekton njohuritë dhe dijet tona mbi mekanizmin e transmisionit dhe përçimin e impulsit monetar në ekonomi, procesin e çmim-formimit në vend, si dhe ndërlidhjet midis treguesve të ndryshëm makroekonomikë. Modelet makro-ekonometrike në përdorim në Bankën e Shqipërisë janë një paraqitje e stilizuar e sjelljes së ekonomisë shqiptare gjatë një periudhe kohore dhe na ndihmojnë të kryejmë parashikime të ecurisë së inflacionit për një periudhë afatmesme.

Siç e kemi deklaruar gjatë komunikimeve të mëparshme mbi vendimmarrjen e politikës monetare, Banka e Shqipërisë pret një rritje graduale të inflacionit gjatë vitit 2022. Bazuar mbi gjithë informacionin e disponuar dhe në mungesë të goditjeve të panjohura për momentin, ne presim një kthim të inflacionit në objektivin tonë prej 3% brenda vitit 2022 dhe qëndrimin e tij rreth këtij niveli gjatë viteve në vazhdim.

Ky parashikim pasqyron projeksionet tona për zgjerim të vazhdueshëm të kërkesës agregate dhe përmirësim gradual të pozicionit ciklik të ekonomisë në këtë horizont kohor. Këto trende do të shoqërohen me rritjen e punësimit, të pagave dhe kostove të prodhimit. Banka e Shqipërisë vlerëson se ecuria e këtyre të fundit është elementi më i rëndësishëm në përcaktimin e dinamikave të inflacionit në afatin e mesëm. Në të kundërt, inflacioni i importuar është një përbërës i inflacionit total mbi të cilin politika monetare nuk ka ndikim në afat të mesëm dhe luhatjet e të cilit përbëjnë përgjithësisht goditje oferte me ndikim të përkohshëm.

Nëse inflacioni kalon objektivin 3% për disa muaj rresht, a do të marrë në konsideratë Banka e Shqipërisë rritjen e normës bazë të interesit?

Në parim, Banka e Shqipërisë reagon me ndryshimin e qëndrimit të politikës monetare – si në kahun lehtësues dhe në atë shtrëngues – vetëm në momentin kur ajo dikton se goditjet – qofshin ato dhe afatshkurtra – të kërkesës apo të ofertës rrezikojnë të përkthehen në trende të qëndrueshme afatmesme dhe afatgjata, të tilla që të vënë rrezik përmbushjen e misionit të saj të stabilitetit të çmimeve.

Në çdo rast, këto vendime bazohen në analiza gjithëpërfshirëse dhe projeksione afatmesme, konkluzionet e të cilave i paraqiten me transparencë publikut. Në konsistencë me atë që thamë më sipër, bazuar në informacionin e disponuar, Banka e Shqipërisë vlerëson se dinamikat e çmimeve në tregjet botërore do të kenë ndikim kalimtar në inflacionin e çmimeve të konsumit në vend.

Nëse inflacioni kalon 3%, përveç mekanizmit të politikës monetare, çfarë mekanizmash të tjerë duhen vënë në lëvizje?

Banka e Shqipërisë ushtron aktivitetin e vet në kushte të një ekonomie të tregut të hapur, ku pjesa dërrmuese e artikujve të shportës së konsumit kanë çmime të cilat përcaktohen lirisht në treg, në pasqyrim të raportit të kërkesës dhe ofertës.

Ndikimi ynë mbi nivelin e çmimeve bazohet në një kuadër teorik modern, i cili emërtohet dhe si regjim i shënjestrimit të inflacionit, dhe realizohet nëpërmjet ndërhyrjeve në tregjet financiare – kryesisht në formën e operacioneve të tregut të hapur – dhe në komunikim të vazhdueshëm dhe në transparencë me publikun. Banka e Shqipërisë do të vijojë t’i qëndrojë dhe në të ardhmen besnike kuadrit ligjor që kornizon objektivat dhe instrumentet e saj, si dhe kuadrit teorik që orienton përdorimin e tyre.

Bankat Qendrore, larg rritjes së interesave, po ndryshojnë objektivat për inflacionin

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në të gjithë bllokun e monedhës së përbashkët Euro u rrit në 3% në gusht nga një vit më parë, sipas të dhënave të Eurostat. Në korrik 2021, ky tregues në Shqipëri ishte 2.7%, niveli më i lartë që nga tetori 2020. Në BE, treguesi i inflacionit tejkaloi pritshmëritë e shumicës së ekonomistëve. Kjo rritje ishte më e madhja që nga nëntori 2011, kur Banka Qendrore Europiane aplikoi rritjen e fundit të normës së interesit.

Rritja e normës së inflacionit ka të ngjarë të ushtrojë mbi Bankën Qendrore Europiane për të ngadalësuar ritmin e skemës së saj të blerjes së bonove si një masë për injektim likuiditeti në ekonominë e Europës për rimëkëmbjen post Covid-19.

Më shqetësuese është situata në Gjermani. Në ekonominë më të madhe të Europës, inflacioni shënoi rekord në 13 vjet, duke shënuar 3.4% rritje në gusht 2021.

Ekonomistët në Eurozonë presin që inflacioni të ulet në mënyrë të qëndrueshme kundrejt vitit të ardhshëm, pasi masat e përkohshme të koronavirusit, të tilla si skemat nxitëse po hiqen gradualisht. Jack Allen-Reynolds, një ekonomist në Capital Economics, tha: “Efektet e rihapjes së problemeve të furnizimit mund të intensifikohen në muajt e ardhshëm. “Por ne dyshojmë se ato do të fillojnë të zbehen vitin e ardhshëm pasi modelet e konsumit dhe tregtisë globale të kthehen në normat e tyre para-pandemike.” Ai parashikoi që norma kryesore e inflacionit të Eurozonës do të ulet në rreth 2% në janar 2022 dhe do të vazhdojë të bjerë në rreth 1% deri në fund të vitit të ardhshëm.

Banka qendrore Europiane e rriti objektivin e saj të inflacionit në 2% në korrik. Ekonomistët sugjerojnë se BQE mund të rrisë objektivat e saj mbi inflacionin përtej 2%. Bankat Qendrore nuk janë duke marrë në konsideratë ndryshimin e normave të interesit për të frenuar rritjen e çmimeve, pasi faktorët që po stimulojnë rritjen duket se kanë natyrë të përkohshme./Monitor


Shtuar 18.09.2021 08:06