Këtë të mërkurë, kryeministri Edi Rama, u takua në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Takimi u zhvillua në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe u fokusua te roli i Shqipërisë në NATO, mbështetja për Ukrainën, si dhe projektet e ardhshme për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Rutte vlerësoi kontributin e vendit tonë në Aleancë dhe theksoi se Shqipëria këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen
“Është një nder i madh të kem këtu mikun tim të ngushtë, Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë. Shqipëria është një aleat i fortë. Shqipëria këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen, që është një angazhim i madh.
Shqipëria po zhvillon industrinë e saj të mbrojtjes, përfshirë edhe përmes ndërmarrjes shtetërore, çka është e rëndësishme sepse na duhet një bazë industriale e mbrojtjes më e fortë në të gjithë NATO-n. Ju po ndihmoni shumë me Ukrainën. Për shembull, përmes komandës sonë në Wiesbaden, ku kemi një delegacion shqiptar, por edhe përmes trajnimit gjuhësor për pilotët e avionëve luftarakë dhe për teknikët”, u shpreh Rutte.
Në vijim, ai nënvizoi rëndësinë e investimeve që po bën vendi ynë në industrinë e mbrojtjes, si dhe rolin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë në ndihmë të Ukrainës.
“Ju po bëni shumë sa i përket ndihmës për Ukrainën. Dhe jashtë Shqipërisë, jeni pjesë e forcave tokësore në Letoni dhe Bullgari. Jeni aktivë në Kosovë përmes KFOR-it. Pra, po jepni një kontribut shumë më të madh se sa madhësia juaj. Dhe jeni mjaft i gjatë. Por megjithatë, Shqipëria nuk është aleati më i madh, por po bën shumë. Dhe prandaj, unë dua sinqerisht t’ju falënderoj që jeni një aleat kaq i fortë.
Ne e dimë që NATO mund të mbështetet gjithmonë te Shqipëria. Dhe ju e dini që Shqipëria mund të mbështetet gjithmonë te NATO. Kështu që edhe njëherë, faleminderit që erdhët për vizitë. Faleminderit që jeni një mik kaq i ngushtë personal. Dhe faleminderit për gjithçka që po bëni për NATO-n”, theksoi Rutte.
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama, falenderoi për mikpritjen dhe nënvizoi se Shqipëria është e vendosur të kontribuojë edhe më shumë në sigurinë e përbashkët euroatlantike.
“Është e kuptueshme që gjithmonë është një kënaqësi, jo vetëm për shkak të miqësisë sonë të gjatë, por edhe për shkak të faktit të thjeshtë që gjithmonë ka diçka për të mësuar nga ju. Dhe jemi këtu për të rikonfirmuar gjithçka që thatë dhe më shumë. Ne duam të bëjmë më shumë. Dhe tani po hedhim bazat për rilindjen e industrisë sonë ushtarake”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli edhe për një nga projektet strategjike më të rëndësishme që vendi synon të realizojë në bashkëpunim me NATO-n, ndërtimin e një porti të ri ushtarak në Porto Romano.
“Jemi shumë të interesuar të diskutojmë me ju për hapat e mëtejshëm që mund të ndërmarrim për të bërë të mundur ndërtimin e portit të ri ushtarak në Porto Romano. Dhe sigurisht, jemi këtu edhe për të folur bashkë se si mund të aksesojmë programin “Safe” të Bashkimit Evropian, i cili, në aspektin e sigurisë, shkon përtej kufijve të vendeve anëtare të BE-së dhe mund të jetë i dobishëm edhe për vendet e NATO-s në Europë”, vijoi Rama.
Në fund të fjalës së tij, Rama shprehu edhe njëherë vlerësimin për Sekretarin e Përgjithshëm Rutte, duke e cilësuar si një lider energjik dhe partner të çmuar.
“Faleminderit për mikpritjen tuaj gjithmonë të përzemërt. Dhe unë besoj se jeni numri një për energjinë e madhe që tregoni kaq herët në mëngjes. Ne jemi këtu për të nxjerrë më të mirën nga kjo”, përfundoi Rama.
Takimi në Bruksel u mbyll me konfirmimin e dyanshëm se Shqipëria mbetet një partner i besueshëm i NATO-s, ndërsa Aleanca do të vazhdojë të jetë mbështetje e fortë për vendin tonë.
Rutte ishte në Tiranë në muajin maj, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që mblodhi bashkë liderët evropianë.