Mund të duket absurde, por për autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar, kjo është kthyer në fenomen dhe konsiderohet si tallje.
Media prestigjoze “The Sun”, shkruan se autoritetet britanike kanë vendosur të fshijnë patjetërsisht kërkesat e emigrantëve shqiptarë, të cilët zbresin në tokën angleze duke kërkuar “mëshirën” e shtetit britanik për të fituar azil dhe më pas kthehen në Shqipëri për festat e fundvitit, për t’u kthyer sërish më vonë.
“Vijnë këtu në mënyrë të paligjshme, paraqesin kërkesat e tyre të rreme për azil në Anglinë e butë, pastaj kthehen në shtëpi tek familja e hapin bashkë dhuratat. Shumë njerëz që kanë kërkuar azil po kthehen në vendin e tyre për pushime”,- është shprehur shefi i Forcave Kufitare, Phil Douglas.
“Kjo është një shaka e turpshme dhe dëshmi kyçe e faktit që sistemi ynë ka dështuar. Shumica e klandestinëve nuk i largohen asnjë rreziku, janë thjesht emigrantë ekonomike që nuk duan të presin në radhë si të tjerët”,- shton ai, transmeton “The Sun”.
Irritimi i shtuar i Britanisë ndaj emigrantëve, vjen për shkak të rraskapitjes së vendit nga rritja e numrit të tyre nga viti në vit.