Përmes një publikimi në rrjetin e saj social, UNDP Albania njofton se brenda këtij viti parashikohet të përfundojë rindërtimi i Kopshtit & Çerdhes Nr. 1, Rubik, Mirditë. Nëpërmjet këtij investimi për të ardhmen, 62 fëmijë, 6 edukatore dhe 4,800 banorë të komunitetit do të jenë edhe përfituesit e drejtpërdrejtë.
Ditët e fundit, pranë këtij objekti arsimor është zhvilluar një vizitë monitoruese me pjesëmarrjen e edukatoreve, prindërve, përfaqësuesve të qeverisjes vendore dhe banorëve të komunitetit, të cilët kanë ndjekur nga afër progresin e punëve të realizuara deri tani, kanë parë nëse sugjerimet e tyre përgjatë konsultimit publik janë zbatuar ashtu siç duhet, kanë përdorur kartën e monitorimit, si dhe kanë ndërvepruar duke dhënë sugjerimet finale në këtë fazë të procesit të rindërtimit.
“Rindërtojmë së bashku” është edhe një prej parimeve bazë të Programit “EU4Schools”, ku në thelb të tij qëndrojnë transparenca dhe llogaridhënia. Në këtë drejtim dhe në kuadër të “EU4Schools” janë realizuar deri më sot 31 vizita monitoruese me pjesëmarrjen e 509 personave.
Kopshti Nr. 1 & Cerdhja Rubik, Mirditë është pjesë e programit “EU4Schools”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNDP Albania. Në fokus të këtij programi, është rindërtimi apo riparimi i 60+ objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019, ku përfitues të drejtpërdrejtë janë rreth 24,500 fëmijë, nxënës e mësues.