Bregu: Kur kornizat e institucioneve ndëkombëtare ngushtohen, duhet të jenë entitetet rajonale ato që duhet të ndërhyjnë,

“Ballkani Perëndimor ka bërë përparim të rëndësishëm në dy dekadat e fundit, por ne nuk jemi aty ku shpresonin qytetarët dhe partnerët se do të ishim pas më shumë se 20 vite. Fatkeqësisht, konfliket që vazhdojnë mes ekonomive mund të pengojnë investimet dhe rritjen ekonomike në rajon. Duke pasur parasysh këtë dhe sfondin e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, ne duhet të mendojmë për evolucionin e entiteteve rajonale si SEECP, funksioni i të cilave mund të jetë parandalimi dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve përpara se ato të arrijnë në faza të vështira. A mund ta përfytyrojmë SEECP si një bastion rajonal – një pasqyrim i vërtetë i karakteristikave unike të Evropës Juglindore, i lidhur nga vlerat e përbashkëta që i bëjnë jehonë etikës së Bashkimit Evropian,” tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në hapjen e takimit Ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të bashkëorganizuar nga RCC dhe Kryesia e SEECP-së-Shkupi, dje në Nju Jork, në mes të Javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Si përgjegjës të bashkëpunimit rajonal, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për përçarjet mbizotëruese në nivel botëror – si lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Historia jonë kolektive na ka treguar se kur kornizat institucionale ndërkombëtare ngushtohen, organet rajonale mund të ndërhyjnë për të siguruar stabilitet, vazhdimësi dhe për të dhënë drejtimin e duhur”, shtoi Bregu.

“Rritja e ekonomive të Ballkanit Perëndimor është ngadalësuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit pasi kërkesat e brendshme kanë qenë disi të moderuara dhe rritja nga eksportet është ulur prej konkurrueshmërisë së dobët. Migrimi dhe ikja e trurit shkaktojnë sfida të mëdha për të gjitha shoqëritë në rajon. Megjithatë, përparimi varet nga zbatimi dhe besueshmëria. Integrimi më i afërt me BE-në në sektorë të tillë si tregtia, klima, energjia, kërkimi, shëndetësia dhe politika e jashtme dhe e mbrojtjes do t’i bënte ekonomitë kandidate të ndihen si pjesë e hapësirës së BE-së edhe kur janë ende në rrugën e tyre drejt anëtarësimit. Por ndërkohë që këto ide po zgjidhen, do të vazhdojë të jetë e rëndësishme të përqendrohemi në hapa praktikë për të ndërtuar lidhje, identitet dhe bashkëpunim edhe përmes mjeteve të tjera.
Çështja e mbledhjes sonë të sotme nuk është nëse SEECP ka një rol për të luajtur; ka të bëjë me atë se sa proaktiv dhe transformues duhet të jetë ai rol dhe si mund të kontribuojmë së bashku për këtë qëllim, “përfundoi Bregu, duke ftuar më pas pjesëmarrësit e SEECP të angazhohen më me vendosmëri në një përpjekje të përbashkët për zbatimin e Strategjisë SEE2030, si mjeti i vetëm i zhvillimit të qëndrueshëm në rrugën gjithëpërfshirëse drejt përmirësimit global, një qëllimi të cilit i përkushtohet solemnisht sesioni i këtij viti i OKB-së.

Në fillim të kësaj jave Sekretarja e Përgjithshme e RCC dha një leksion në Universitetin Shtetëror të Miçiganit si pjesë e seminarit të Qendrës për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike (CERES) të quajtur “Bashkëpunimi në vend të ndarjeve në Ballkanin Perëndimor – sfidat gjeopolitike në kontekstin e luftës në Ukrainë” në Detroit. Përpara takimit ministror të SEECP, Sekretarja e Përgjithshme u takua me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, për të diskutuar situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe pikat kryesore të aktiviteteve të ardhshme.

*

I krijuar gati tre dekada më parë, SEECP qëndron si një platformë e vërtetë dhe autentike për dialogun politik, duke promovuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe duke inkurajuar përpjekjet e bashkëpunimit, të gjitha të krijuara për të mbrojtur integrimin tonë në strukturat evropiane dhe euroatlantike.


Shtuar 22.09.2023 10:07