Brataj flet për vaksinën: S’do të thotë që po e bëre s’infektohesh dhe nuk humbet jetën!

Anëtari i Komitetit Teknik Dr. Skënder Brataj e vlerëson shumë kritike situatën e Covid 19 për shkak të dezinformimit të qytetarëve nga rrjete sociale apo nga persona jo profesionistë, të cilët sipas tij po bëjnë që qytetarët të mos vaksinohen. Ai tregon se vaksina nuk të mbron 100%, por ka njerëz që për shkak të teorive konspirative qëndrojnë të sëmurë në shtëpi e nuk kërkojnë ndihmë mjekësore.

“Është një moment shumë kritik për arsye të informacionit të shumtë që vjen nga të gjitha anët dhe sidomos për interpretimin e tij. Por që të kesh një bilanc të tilë me 1115 vizita vetëm Covid dhe 984 telefonata, është se dizinformimi është shumë i dëmshëm.

Ka shumë të sëmurë në banesa që nuk kërkojnë ndihmë mjekësore sepse janë ende me idenë që virusi nuk ekziston.

Vaksina nuk të shpëton. Vaksina nuk të mbron 100%. Nuk do të thotë që po e bëre nuk infektohesh dhe nuk humbet jetën. Të mbron. Fakti që në këtë moment kemi më shumë mosha të reja të infektuar, do të thotë se nuk janë vaksinuar,”- tha ai.

Në spitalet covid po trajtohen 195 qytetarë, mes tyre 13 janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se kanë ndërruar jetë edhe pesë persona të tjerë si dhe janë identifikuar 995 raste të reja me Covid-19. /tch

 


Shtuar 14.09.2021 21:57