Zyrtari i Kievit: Delegacionet e Ukrainës dhe SHBA-së do të takohen në fund të kësaj jave

Kreu i zyrës presidenciale të Volodymyr Zelenskyyt reagoi, pasi konferenca për shtyp e Vladimir Putinit përfundoi.

Sipas mediave të huaja, Andriy Yermak tha se delegacionet ukrainase dhe amerikane do të “vazhdojnë të ndërtojnë mbi rezultatet e arritura në Gjenevë” gjatë bisedimeve në fund të kësaj jave.

“Është thelbësore të mos humbasësh produktivitetin dhe të punosh shpejt”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.

“Qëllimi ynë kryesor i përbashkët mbetet i pandryshuar – arritja e një paqeje të qëndrueshme dhe dinjitoze për Ukrainën sa më shpejt të jetë e mundur”, vijoi ai më tej.

“Ashtu siç bëmë në Gjenevë, tani po përgatitemi për një dialog konstruktiv për të bërë përparim të prekshëm në përcaktimin e hapave për t’i dhënë fund luftës”, tha Yermak.

Kjo vjen pasi Donald Trump njoftoi se do të dërgonte zyrtarë në Moskë dhe Kiev për të finalizuar negociatat mbi një marrëveshje të mundshme paqeje.

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, do të takohet me Rusinë dhe sekretari i ushtrisë, Dan Driscoll, do të zhvillojë bisedime me Ukrainën.


Shtuar 27.11.2025 16:32

Tags: ,