Zvicra është e gatshme të ofrojë mikpritjen për një takim të mundshëm paqeje mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës, duke garantuar imunitet për presidentin rus Vladimir Putin nëse ai vjen në territorin zviceran. Këtë e deklaroi të martën ministri i Jashtëm zviceran, Ignacio Cassis.
Deklarata vjen pasi Donald Trump propozoi një takim trilateral mes tij, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus Vladimir Putin. Ende nuk është vendosur koha apo vendndodhja e takimit, por presidenti francez Emmanuel Macron propozoi që ai të mbahet në Gjenevëm ide që u mbështet edhe nga ministri i Jashtëm italian.
Putin është subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare që prej vitit 2023 për krime lufte në Ukrainë. Megjithatë, sipas Politico, ministri Cassis sqaroi se Putin nuk do të arrestohet nëse merr pjesë në një konferencë paqeje në Zvicër, për shkak të rolit neutral të vendit dhe statusit të Gjenevës si seli evropiane e OKB-së.
“Zvicra ka sqaruar pozicionin ligjor dhe është e gatshme për një takim të tillë,” tha Cassis, duke theksuar se gjithçka varet nga vullneti i fuqive të mëdha.