Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot – për herë të parë – se është gati për zgjedhjet presidenciale, të cilat normalisht ishin planifikuar për vitin 2024, por u shtynë për një kohë të pacaktuar për shkak të luftës me Rusinë.
“Nesër do të jem në Ukrainë dhe pres propozime nga partnerët dhe parlamentarët tanë mbi ndryshimet ligjore që do të lejonin mbajtjen e zgjedhjeve gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Meqenëse kjo çështje është ngritur nga presidenti i SHBA-së dhe partnerët tanë evropianë, do të jem i shkurtër: Jam gati”, tha ai.
Ajo që ai u kërkoi SHBA-së dhe Evropës të bënin është të garantonin sigurinë e votimit. Në atë rast, tha ai, Ukraina mund të shkojë në zgjedhje “brenda 60 deri në 90 ditësh”.
Në një intervistë të hënën, Donald Trump përsëriti kërkesën e tij që Ukraina të mbajë zgjedhje. “Ata nuk kanë pasur zgjedhje për një kohë të gjatë”, tha Trump. “E dini, ata flasin për demokraci, por po arrijnë në një pikë ku kjo nuk është më demokraci.”
Apeli – gjithashtu nga goja e presidentit amerikan – vjen në një kohë kur Zelensky është dobësuar politikisht për shkak të një skandali korrupsioni që “prek” edhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Përveç deklaratës mbi zgjedhjet, e cila është shumë e rëndësishme duke pasur parasysh presionet nga shumë palë për këtë çështje të pezulluar, Zelensky bëri edhe një pranim të habitshëm në lidhje me rrjedhën e luftës.
Ukraina aktualisht nuk ka forcën ose mbështetjen e aleatëve të saj për të rimarrë Krimenë dhe territoret e tjera të pushtuara nga Rusia, tha ai. “Do të jem i sinqertë: po, sot nuk kemi forcën për të gjitha këto. Nuk kemi mbështetje të mjaftueshme për të gjitha këto”, tha presidenti ukrainas.
