Zelensky: S’do të pranojmë asnjë marrëveshje SHBA-Rusi të bërë pa Ukrainën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje për Ukrainën që nuk e përfshin vendin e tij në bisedime, pas një telefonate midis Vladimir Putin dhe Donald Trump.

Në komentet e tij të para për gazetarët që kur Presidenti i SHBA Donald Trump zhvilloi telefonata individuale fillimisht me liderin rus Vladimir Putin dhe më pas Zelensky, lideri ukrainas tha se gjëja kryesore ishte “të mos lejohej që gjithçka të shkonte sipas planit të Putinit”.

“Ne nuk mund ta pranojmë atë, si një vend të pavarur, asnjë marrëveshje (të bërë) pa ne”, tha Zelensky teksa vizitoi një stacion bërthamor në Ukrainën perëndimore.

Zelensky u shpreh se vendi i tyre do të duhej të ishte në tryezën e bisedimeve.

“Unë ua artikuloj këtë shumë qartë partnerëve tanë. Ne nuk do të pranojmë asnjë negociatë dypalëshe për Ukrainën, jo për tema të tjera, por çdo bisedë dypalëshe për Ukrainën pa ne.”


Shtuar 13.02.2025 16:13