Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha sot se bisedimet e tij në Paris me Presidentin francez Emmanuel Macron u përqendruan në mënyrën e përfundimit të luftës, duke shtuar se paqja në Ukrainë duhet të jetë vërtet e qëndrueshme.
“Lufta duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Tani shumë gjëra varen nga pjesëmarrja e secilit udhëheqës. Sot do të flasim edhe me udhëheqës të tjerë”, tha Zelensky në një postim në platformën X.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Pallatin Elize në Paris të hënën paradite, për bisedime me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, duke e nisur një tjetër javë të ngjeshur të diplomacisë, me synim për t’i dhënë fund luftës pothuajse katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë.
Zelensky shkoi në Paris, me qëllim për t’i gjetur “kushtet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, një ditë pas bisedimeve në Florida mes delegacioneve amerikane dhe ukrainase, të cilat, sipas të dyja palëve, ishin frytdhënëse.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha të hënën se “kjo mund të jetë javë vendimtare” për përpjekjet për paqe.
I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, një anëtar i ekipit amerikan në Florida, do të zhvillojë bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, të martën, sipas zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov.
Ky do të jetë takimi i gjashtë i Witkoffit me Putinin që nga janari.
