Zelensky arrin në Ankara për bisedime me Erdoganin: Duhet të presim një zgjidhje të drejtë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka arritur në kryeqytetin turk, Ankara, për një seri bisedimesh të rëndësishme me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Kjo vizitë vjen në një moment delikat për situatën ndërkombëtare, pasi delegacione nga Rusia dhe Ukraina janë të ftuara të takohen në Stamboll për një raund të ri negociatash që kanë si objektiv kryesor arritjen e një marrëveshje për përfundimin e luftës trevjeçare që ka shpërthyer pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Unë mendoj se duhet të presim një zgjidhje të drejtë që vjen nga takimi me presidentin Erdogan. Do të vendos për hapat e mëtejshëm pas takimit”, tha Zelensky, duke shtuar se pala e tij ishte “përpjekur të ishte konstruktive”

Lufta, e cila ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka çuar në një krizë të rëndë humanitare, nisi në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nis një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Ky konflikt ka pasur pasoja të thella për të dy vendet dhe për sigurinë e Evropës dhe të botës në përgjithësi, duke shkaktuar ndarje të thella dhe tensione ndërkombëtare.

Sipas raportimeve të Sky News, presidenti rus, Vladimir Putin, nuk pritet të marrë pjesë në takimin e sotëm në Stamboll.

Pavarësisht kësaj, ai kishte sugjeruar gjatë fundjavës që të zhvilloheshin bisedime të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës, një mundësi që Zelensky ka pranuar, duke kërkuar një takim “kokë më kokë” me Putinin për të diskutuar drejtpërdrejt për mënyrën e ndalimit të luftës dhe arritjen e një marrëveshjeje paqësore.

Kjo përpjekje e liderit ukrainas për të angazhuar Turqinë dhe presidentin Erdogan, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm si ndërmjetës në negociatat ndërkombëtare, pasqyron dëshirën e Ukrainës për të kërkuar mbështetje për një marrëveshje që do të ndihmonte në zgjidhjen e konfliktit dhe në rikthimin e paqes në rajon.


Shtuar 15.05.2025 13:09