Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Washington D.C., ku dy ndihmës të Ambasadës Izraelite, Sarah Milgrim dhe Yaron Lischinsky, u qëlluan për vdekje jashtë Muzeut Hebre të Kryeqytetit.
Sipas policisë lokale, sulmi ndodhi rreth orës 21:08 në zonën e 3rd Street dhe F Street NW. Dy viktimat u gjetën pa shenja jete dhe nuk iu përgjigjën përpjekjeve për t’i shpëtuar.
Hetimet paraprake zbuluan se çifti po largohej nga një aktivitet në muze kur autori, i identifikuar si Elias Rodriguez, 30 vjeç nga Çikago, u afrua, nxori një armë dhe hapi zjarr ndaj tyre.
Sipas shefes së policisë Pamela Smith, autori kishte shfaqur sjellje të dyshimta duke ecur para dhe mbrapa jashtë muzeut përpara sulmit. Pas krimit, ai hyri në muze ku u ndalua nga sigurimi dhe më vonë deklaroi se e kishte kryer vetë sulmin.
Rodriguez, ndërsa ishte në pranga, ka bërtitur “Free, Free Palestine”, duke lënë të nënkuptohet një motiv politik pas veprimit të tij.
Ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, në një deklaratë emocionale, tregoi se çifti ishte pranë fejesës. “Yaron kishte blerë unazën këtë javë dhe planifikonte t’i propozonte Sarës javën tjetër në Jerusalem,” tha ai.
Ambasada izraelite i përshkroi dy të rinjtë si “miq dhe kolegë të dashur që ishin në lulëzimin e jetës së tyre.”
Policia ka gjetur armën dhe ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.