Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar së fundmi se nuk ka ndërmend të kandidojë sërish për të njëjtin post. Vuçiç u shpreh se mandati i tij do të përfundojë për një vit e gjysmë ndërsa shtoi se ai nuk është një diktator siç e paraqesin. Vuçiç e quan veten një veteran politik.
“Karrierën time si president do ta përfundoj për një vit e gjysmë. Unë jam një veteran politik dhe nuk mund të kandidoj më për president, dhe as që më shkon ndër mend të ndryshoj Kushtetutën për ta bërë këtë. Nuk jam diktator, siç më paraqesin zakonisht në mediat austriake.”-tha ai.
Presidenti i Serbisë nuk dha një datë të saktë për zgjedhjet ndërsa theksoi se do të shpallen përpara afatit të parashikuar me ligj. Aleksandër Vuçiç deklaroi se kjo është në kompetencë të institucioneve shtetërore.
“Do të ndihmoj dikë dhe do të luftoj që ata që mendoj se mund ta çojnë Serbinë përpara të kenë sukses në zgjedhje, këtë do ta bëj patjetër. Nga cilat pozita, kjo nuk është temë tani, dhe as nuk mund ta them.”-deklaroi ai.