Vuçiç mandaton ministrin e Mbrojtjes për kryeministër të Serbisë

Aleksandër Vuçiç ka mandatuar për postin e kryeministrit, ministrin aktual të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç.

“I propozoj Kuvendit Kombëtar të Republikës së Serbisë Millosh Vuçeviç për kandidat për kryeministër të Republikës së Serbisë”, ka thënë Vuçiç në llogarinë në Instagram.

Në shpjegimin e vendimit, Vuçiç ka thënë se beson se Millosh Vuçeviç ka cilësi profesionale dhe personale për të kryer funksionin e kryeministrit, raporton Euronews Serbia.

“Shpreh besimin tim te Millosh Vuçiç, duke pasur parasysh se në periudhën e kaluar ai ka kryer funksionet përgjegjëse të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, gjë që tregoi se ai ka përkushtimin dhe eksperiencën e nevojshme për të kryer funksionet e kryeministrit. ”, thuhet në deklaratën e Presidencës.

Kush është Millosh Vuçeviç?

Ai ka lindur në vitin 1974 në Novi Sad. Në biografinë zyrtare thuhet se ka mbaruar shkollën fillore “Vasa Stajiç” në vendlindje dhe gjimnazin “Jan Kolar” në Backi Petrovac. Ai u diplomua në Fakultetin Juridik në Novi Sad në vitin 1999.

Deri në vitin 2012 ka ushtruar profesionin e avokatit në zyrën e avokatisë familjare. Ai është anëtar i Partisë Progresive Serbe që nga viti 2008. Vuçeviç u zgjodh president i bordit të qytetit të SNS në vitin 2011. Ai u bë nënkryetar i SNS në vitin 2016 dhe më pas u zgjodh në atë pozicion në nëntor 2021.

Ai u zgjodh kryetar i komunës së Novi Sadit në shtator të vitit 2012, pas së cilës pushoi së punuari si avokat. Më tej u zgjodh kryetar bashkie për herë të dytë në korrik 2016, dhe për herë të tretë në shtator./albeu.com


Shtuar 30.03.2024 19:31