Duke komentuar vrasjen e vajzës dy-vjeçare Danka Iliç trupi i së cilës nuk është gjetur ende, presidenti Serb Aleksandar Vuçiç deklaron se do t’i propozojë qeverisë që të shqyrtojë rikthimin e dënimit me vdekje.
“I kam kërkuar qeverisë që me Këshillin e Evropës dhe të gjithë të tjerët të shqyrtojë nëse është e mundur të rifutet dënimi me vdekje pa pësuar pasoja juridike dhe politike, pa u ndëshkuar për këtë”, u shpreh Vuçiç.
Presidenti riktheu në vëmendje edhe vrasjet masive në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” dhe disa masakra të tjera.
“Sapo të kthehem nga Parisi do ta dërgoj propozimin në Qeveri”, vijoi ai.
Vuçiç foli edhe për vizitën që do të ketë të hënën në Francë, duke u shprehur se me Macron do të diskutojë 14 tema, tre prej të cilave do t’i kushtohen inteligjencës artificiale. Ai theksoi se do të diskutojë edhe për industrinë ushtarake dhe se shpreson që të hënën të nënshkruhen kontratat për blerjen e armëve.
“Kështu, ne bëhemi një fuqi e madhe brenda kufijve tanë. “Rafal” është një nga avionët më të mirë në botë. Radari më i mirë, raketat më të mira”, tha presidenti i Serbisë.