Gjatë administratës së Presidentit Biden, veteranët amerikanë kanë marrë përfitime të zgjeruara të kujdesit shëndetësor që arrijnë vlerën mbi 5.7 miliardë dollarë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, ish Presidenti Donald Trump argumenton se veteranët ishin më mirë gjatë periudhës që ai drejtoi Shtëpinë e Bardhë. Por cilat do të jenë nevojat e veteranëve gjatë administratës së ardhshme?
Rreth 890 mijë veteranë të ekspozuar ndaj substancave toksike gjatë shërbimit kanë përfituar tashmë nga një ligj që nënshkroi Presidenti Joe Biden në vitin 2022 për të zgjeruar kujdesin shëndetësor dhe përfitimet për të prekurit dhe familjet e tyre. Presidenti Biden njoftoi të mërkurën se deri tani janë miratuar më shumë se një milion kërkesa.
“Problemet e frymëmarrjes, kanceri, njerëz që vuajnë prej shumë kohësh. Në bazë të ligjit, veteranët nuk kanë nevojë ta provojnë se u sëmurën gjatë shërbim it”, deklaroi ai.
Presidenti Biden nënvizoi se gjatë administratës së tij ishin nënshkruar më shumë se 30 ligje dypartiake në mbështetje të veteranëve, atyre që kujdesen për ta dhe familjeve të tyre.
“Kemi rritur burimet për t’i dhënë fund fenomenit të të pastrehëve në mesin e veteranëve. Kemi punësuar dhe trajnuar qindra specialistë të kujdesit të shëndetit mendor, posaçërisht për t’i ndihmuar veteranët që t’i japin fund plagës së heshtur të vetëvrasjes”, tha Presidenti Biden.
Kandidati republikan për president, Donald Trump, argumenton se veteranët ishin më mirë kur ai drejtonte Shtëpinë e Bardhë. Trump nënvizoi argumentin e tij në një video të postuar në muajin nëntori në platformën Rumble.
“Ky vend ka 33,000 veteranë të pastrehë që jetojnë në gjendje shumë të keqe, që është turp. Gjatë katër viteve të mia, ne i ndihmuam shumë, por ua kanë hequr këtë ndihmë”
Trump premtoi ndryshime nëse kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
“Në ditën e parë, do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për të ndërprerë financimin masiv të Joe Biden-it për strehimin dhe transportin e emigrantëve të paligjshëm dhe do të përcaktoj një pjesë të këtyre kursimeve, që është sasi e madhe, për të ofruar strehim dhe trajtim për veteranët e pastrehë”.
Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë i vlerëson përmirësimet për mirëqenien e veteranëve gjatë të dy administratave. Administrata aktuale shtoi qasjen e veteranëve tek trajtimet mjekësore jashtë kuadrit të përcaktuar për ushtrinë. Por ende ka sfida, thotë për Zërin e Amerikës Anthony Estreet me Shoqatën Kombëtare të Punonjësve Socialë.
“Ka patur probleme të qasjes së individëve në sistem, pengesa kur flitet për dokumentacionin, radha të gjata pritjeje dhe mungesë punonjësish”.
Estreet vuri në dukje se presidenti i ardhshëm duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë lehtësimit të qasjes së veteranëve në kujdesin e shëndetit mendor, veçanërisht duke patur parasysh mungesën aktuale të specialistëve në këtë fushë./ VOA