Vijon zjarri Hong Kong, shkrumbohen komplekset e banimit! Çfarë dyshohet se po i favorizon flakët

Të paktën 36 njerëz kanë humbur jetën dhe 279 të tjerë janë zhdukur të mërkurën pasi zjarri më vdekjeprurës në Hong Kong prej tre dekadash përfshiu kullat e larta banesore të rrethuara me skelë bambuje, thanë autoritetet. Më shumë se 10 orë pasi zjarri shpërtheu në qarkun verior Tai Po, flakët dhe tymi i dendur ende po mbulojnë kullat 32-katëshe, teksa ekipet e shpëtimit po luftojnë për ta shuar zjarrin dhe banorët e tronditur po shikojnë nga afër.

Ende nuk dihet shkaktari i zjarrit, por ai u përhap nga rrjeta jeshile e ndërtimit dhe skelat prej bambuje, të cilat Qeveria kishte filluar t’i nxirrte jashtë përdorimit në mars për arsye sigurie. Duke punuar gjatë natës, për shkak të nxehtësisë së madhe zjarrfikësit u përballën me vështirësi për të arritur në katet e sipërme të kompleksit të banimit Wang Fuk Court, i cili ka 2.000 apartamente në tetë blloqe.

Një zjarrfikës është në mesin e 36 viktimave, ndërsa 29 njerëz janë shtuar në spital, tha për gazetarët drejtuesi i Hong Kongut, John Lee. Rreth 900 të tjerë ndodhen në tetë qendra strehimi. Departamenti i Transportit në Hong Kong tha se, për shkak të zjarrit, një segment i tërë i rrugës Tai Po, një prej dy autostradave kryesore të Hong Kongut, është mbyllur.

“Prioriteti i parë është ta shuajmë zjarrin dhe t’i shpëtojmë banorët që janë të ngujuar. I dyti është mbështetja e të lënduarve. I treti është mbështetja dhe rimëkëmbja. Më pas, do të nisim një hetim të plotë”, tha Lee për gazetarë.

Të paktën gjashtë shkolla do të mbyllen të enjten për shkak të zjarrit dhe trafikut të rënduar, njoftoi Byroja e Arsimit të qytetit. Ky është zjarri më i rëndë në Hong Kong që prej vitit 1996, kur 41 njerëz humbën jetën në një ndërtesë komerciale në qendër të Kowloon. Më vonë u zbulua se ai zjarr ishte shkaktuar nga saldimi gjatë rinovimeve të brendshme. Hong Kongu është një nga vendet e fundit në botë ku bambuja ende përdoret shumë për skela në ndërtimtari.

Qeveria nisi ta heqë gradualisht përdorimin e saj në mars, për arsye sigurie. Ajo njoftoi se 50 për qind e punimeve publike të ndërtimit do të duhet të përdorin korniza metalike në vend të bambusë. Wang Fuk Court është një nga shumë komplekset e banimit shumëkatëshe në Hong Kong, një nga zonat me densitetin më të lartë të popullsisë në botë. Tai Po është një distrikt i konsoliduar periferik me rreth 300.000 banorë.


Shtuar 26.11.2025 21:43