Në Serbi situata vazhdon të tensionohet, ndërsa protestat kundër Presidentit Aleksandër Vuçiç po përhapen gjithnjë e më shumë. Afro 60 fakultete publike kanë ndërprerë punën si shenjë solidariteti, ndërsa protestave studentore u janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme.
Protestuesit po kërkojnë drejtësi për viktimat e shembjes së çatisë së ndërtesës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona. Ata gjithashtu kërkojnë dënimin e përgjegjësve për sulmet ndaj qytetarëve dhe studentëve gjatë demonstratave paqësore për nderimin e viktimave.
Ndërkohë, një video e publikuar nga Ivanjica ka shkaktuar shqetësim të madh. Në pamjet shihet një makinë tip “Audi” që kalon me shpejtësi përmes një bllokade të rrugës, duke rrezikuar jetët e protestuesve. Raste të ngjashme janë raportuar këto ditë, ku drejtues mjetesh kanë tentuar të godasin protestuesit që kishin bllokuar rrugët.
Shumë qytetarë serbë fajësojnë korrupsionin dhe standardet e ulëta të punimeve për shembjen tragjike të ndërtesës. Stacioni hekurudhor në Novi Sad ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit, si pjesë e projekteve të diskutueshme që përfshinin kompani shtetërore kineze.
Protestuesit po kërkojnë me ngulm që Presidenti Vuçiç dhe të gjithë përgjegjësit për tragjedinë të përballen me drejtësinë. Deri tani, janë arrestuar 13 persona, përfshirë një ministër që më pas u lirua, duke thelluar mosbesimin ndaj institucioneve shtetërore dhe procesit të hetimit.
Këto protesta po sfidojnë seriozisht pushtetin e Presidentit Vuçiç, i cili akuzohet nga kundërshtarët e tij për një stil qeverisjeje gjithnjë e më autokratik.
Ivanjica ‼️
Direktan pokušaj ubistva ljudi na blokadama ‼️ pic.twitter.com/FBp7aT6lab— Bora (@BoraKonj) December 27, 2024