Vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord sot të ngrijnë për një kohë të pacaktuar asetet e Bankës Qendrore të Rusisë që ndodhen në territorin evropian, duke hequr një pengesë të madhe në përdorimin e këtyre fondeve për mbrojtjen e Ukrainës kundër Moskës.
BE-ja dëshiron të vazhdojë financimin për Ukrainën, pasi e sheh pushtimin rus si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së saj. Për ta bërë këtë, vendet anëtare planifikojnë të përdorin një pjesë të fondeve ruse të ngrira.
Hapi i rëndësishëm i miratuar sot është ngrirja e aseteve me vlerë 210 miliardë euro për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në vend që të votohet çdo gjashtë muaj për zgjatjen e masës.
Kjo zgjidhje shmang rrezikun që Hungaria dhe Sllovakia, që mbajnë marrëdhënie më të afërta me Moskën se shumica e vendeve të tjera, të refuzojnë në një moment rinovimin e ngrirjes, çka do ta detyronte BE-në t’i kthente fondet Rusisë.
Ngrirja pa afat e aseteve pritet gjithashtu të bindë Belgjikën, e cila deri më tani ka pasur kundërshti, të mbështesë planin e BE-së për përdorimin e fondeve ruse në dhënien e një huaje deri në 165 miliardë euro për Ukrainën, me synim mbulimin e nevojave buxhetore dhe ushtarake të vendit për vitet 2026 dhe 2027. Kjo hua do të shlyhet nga Ukraina vetëm pasi Rusia të ketë paguar dëmshpërblimet e luftës.
Liderët evropianë, në kuadër të Këshillit Evropian, pritet të finalizojnë detajet e huasë dhe të zgjidhin çështje të tjera të lidhura në samitin e 18 dhjetorit.
