“Vatrat e nxehta” të planetit: Ja ku mund të shpërthejë lufta e ardhshme

Nga Andrea Muratore “Il Giornale”

Gjatë viteve të fundit, fillimisht lufta në Nagorno-Karabakh, dhe më pas konflikti i përgjakshëm në Ukrainë, kanë sjellë skenarë që konsiderohen nga analistët dhe vendimmarrësit si shumë me rendësi për ekuilibrat e rendit ndërkombëtar aktual.

Luftërat parandaluese të nisura nga Azerbajxhani dhe Rusia, përkatësisht kundër Armenisë dhe Ukrainës, kanë treguar rikthimin e përdorimit të forcës si mjet për zgjidhjen e konflikteve ndërmjet shteteve, me një vrull që nuk mbahet mend që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Fundi i bipolaritetit dhe konsumimi i shpejtë i idesë utopike të një bote unipolare nën drejtimin ekskluziv të SHBA-së, kanë bërë që rendi global të shndërrohet në një kaos të madh ndërkombëtar, plot anarki dhe pa rregulla të sakta. Nga ky këndvështrim, vatrat e tensionit u ndezën në kuadrin e një çlirimit gjithnjë e më gradual të peshave dhe kundërpeshave, të cilat deri dje e kufizonin ekuilibrin e fuqive.

Rënia e bipolaritetit dhe skenarët e luftës hibride dhe asaj ekonomike, që u shfaqën në kontekste të ndryshme bënë pjesën tjetër, duke i sjellë në kontakt fuqitë në zona të ndryshme të botës. Konflikte të ngrira apo me intensitet të ulët gati për t’u riaktivizuar. Kjo mund të ndodhë zona të botës të kontestuara ashpër midis fuqive, në “pikat e kontaktit” midis perandorive të vjetra dhe të reja, apo në zona me pretendime të shumta politike.

Siria, Libia, Jemeni:Tre “bomba” ende të pa çaktivizuara

Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, janë zonat e para që duhen analizuar me kujdes. Ajo e Sirisë, është më ndër më të dhunshmit, dhe nga një konfliktet e ngrira pa një rezultat përfundimtar, edhe pse zyrtarisht askush nuk po e vë në dyshim qëndrimin në pushtet të regjimit alevit të Bashar Al-Assad.

Ky vend e ka të vështirë të ribashkohet, dhe rifillimi i operacioneve të ushtrisë turke kundër kurdëve, vetëm sa na rikujtoi se sa i vështirë do të jetë ky proces. Përveç Sirisë, Jemeni dhe Libia janë gjithashtu vende të përçara nga luftërat e tyre civile, prioriteti i të cilave është sot për sot dalja nga “moçalishtja’ që i sheh ato si zona konflikti dhe luftëra përmes palëve të treta.

Edhe pse jo në axhendën e një konflikti të drejtpërdrejtë midis shteteve, këto 3 vende janë sa “vrima të zeza” gjeopolitike dhe strategjike aq edhe një burim tensioni për rendin ndërkombëtar. Ashtu siç është edhe një zonë tjetër shpeshherë e nënvlerësuar, Saheli, raporton albeu.com

SHBA dhe Kina, fronti i Paqësorit

Natyrisht, “vrimat e zeza” gjeopolitik mund të jenë problematike për shkak të mosmarrëveshjeve që lidhen me kolapsin e mundshëm të shtetit, apo infiltrimin terrorist në vendet me institucione të dobëta. Por problemi real sot mbeten fërkimet e mundshme midis fuqive të mëdha.

Në këtë rast mendja të shkon në Detin e Kinës Jugore, dhe tek skenari i një lufte midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Muajt ​​e fundit, stërvitjet detare të Pekinit në Ngushticën e Tajvanit dhe vizita e kryetares së Kongresit Amerikan Nancy Pelosi në ishullin e konsideruar si një “provincë rebele” nga Pekini, kanë sjellë rritjen e tensioneve dhe rivalitetit politik midis dy gjigantëve.

Që nga fillimi i këtij viti, Kina i ka militarizuar plotësisht 3 nga ishujt e shumtë artificialë që ka ndërtuar në Detin e Kinës Jugore, duke i armatosur ato me sisteme raketore të llojeve të ndryshme. Në ishujt Spratli, të kontestura nga shumë kombe të tjera në rajon, para së gjithash nga Filipine dhe Vietnami, Kina po përdor për provokim varkat e peshkimit.

Uashingtoni po kundërpërgjigjet me një prani detare të shtuar. Komanda e Paqësorit, e cila menaxhon edhe operacionet në Oqeanit Indian, ka në dispozicion dy flota, Flotën e Tretë dhe Flotën e Shtatë, me aeroplanmbajtëset “Nimitz”, “Carl Vinson”, “Ronald Reagan” dhe “Theodore Roosevelt” të vendosura në San Diego dhe “Abraham Lincoln” në Yokosuka në Japoni. Përveç Tajvanit, i armatosur deri në dhëmbë për t’u mbrojtur, për të kontrolluar Kinën Uashingtoni po mbështetet tek Japonia, tek një Vietnami i ri-ngritur si një fuqi rajonale, por edhe forcën e saj ajrore dhe bazën detare të Guamit, raporton albeu.com.

Kashmiri dhe Ishujt Kurile, territore të diskutueshme

Në Azi ka jo pak mosmarrëveshje të tjera territoriale, që rrezikojnë të shkaktojnë përplasje mes fuqive. Për shembull, agresioni rus kundër Ukrainës dhe vdekja tragjike e Shinzo Abes, kanë rikthyer në skenë pretendimin japonez mbi Ishujt Kurile, për të cilat Tokio thotë se

iu “rrëmbyen” nga Bashkimi Sovjetik pas luftës së shkurtër të nisur nga Moska kundër perandorisë japoneze në gushtin e vitit 1945.

Vrasja e Abes i mori Japonisë të vetmin burrë shteti që kishte provuar të zbatonte një strategji diplomatike për t’iu afruar gradualisht zgjidhjes së kësaj çështjeje me Rusinë. Ri-ndezja e tensioneve në muajt e fundit, krijon një vatër të re ​​tensioni në Lindjen e Largët.

Edhe më problematike është situata në Kashmir, një rajon kufitar i diskutueshëm midis Indisë dhe Pakistanit. Nju Delhi kontrollon aktualisht një pjesë të konsiderueshme të saj. India dhe Pakistani janë përpjekur disa herë të nisin dialogun për zgjidhjen e statutit të diskutueshëm të rajonit, i kontestuar që nga viti 1947. Në të kaluarën, ata kanë luftuar 4 herë midis tyre (1948, 1965, 1971 dhe 1998).

Baltiku:Sërish një “det i nxehtë”

As Evropa nuk përjashtohet nga prania e “vatrave të nxehta” të këtij lloji. Pas agresionit rus të 24 shkurtit ndaj Ukrainës, Deti Baltik është shndërruar në arenën e përballjes mes kampit euroatlantik dhe Federatës Ruse. Baltiku është rajoni ku ndodhet linja e zgjerimit të NATO-s, e destinuar të shtrihet edhe në Suedi dhe Finlandë gjatë viteve të ardhshme.

Kjo zonë është e ndikuar shumë nga prania e dukshme ushtarake ruse në Kaliningrad dhe në rajonin e Shën Petersburgut. Këtu ndodhet flota më e madhe ruse në rajon, por edhe forcat e armatosura të vendeve evropiane që janë më kundër Moskës:Estonia, Letonia, Lituania dhe mbi të gjitha, Polonia.

Baltiku ka një rol thelbësor edhe për infrastrukturën energjetike, dhe këtë e tregoi sulmi sabotues ndaj “Nord Stream”. Për këto arsye ai mund të jetë epiqendra e tensioneve gjatë viteve të ardhshme. Pra “fitili”, prej nga ky mund të nisë një rrëmujë e madhe globale.

/albeu.com


Shtuar 17.12.2022 08:28