Vatikani konfirmon: Papa është prekur nga një infeksion në traktin e frymëmarrjes

Gjendja shëndetësore e Papës Françeskut duket të jetë më e rëndë nga sa u mendua fillimisht, e nënkuptuar kjo nga vetë mjekët që po trajtojnë Atin e Shenjtë, të cilët thanë se duhet të merren me disa patogjenë në traktin e frymëmarrjes dhe së qëndrimi i tij në spital mund të zgjatet.

Sipas Vatikanit, Papa Françesku vuan nga një gjendje klinike “komplekse”. Analizat kanë treguar një “infeksion polimikrobial të traktit respirator”. Me këtë, mjekët nënkuptojnë se komunitetet bakteriale, që janë të vështira për t’u trajtuar, janë zhvilluar në mushkëri. Për këtë arsye, u vendos dhe ndryshimi i trajtimit, i cili qe modifikuar një herë të shtunën. Nuk është dhënë asnjë afat kohor për mbajtjen në spital të Papës 88 vjeçar; gjithë çfarë thuhet nga mjekët është se ai do të ketë nevojë për pushim absolut. Audienca e Papës e të mërkurës u anulua, ndërsa Vatikani nuk ka pranuar të japë asnjë koment mbi pneumoninë ose një përkeqësim të përgjithshëm të gjendjes së tij.

Françeskut i mungon një pjesë e mushkërisë së djathtë që nga një operacion në moshë të re. Në moshën 88-vjeçare, ai është Papa i dytë më i vjetër në histori. Pasardhësi i Benediktit XVI, ai ka mbajtur detyrën që nga marsi 2013. Shenjat që shëndeti i tij po rëndohej megjithatë, nuk kanë munguar.

Gjatë daljeve të fundit publike, atij shpeshherë i është ndërprerë zëri, duke shqetësuar ndihmësit e afërt, e pothuajse nuk është larguar më, ndërsa ky është shtrimi i katërt në spital që kur u vendos në krye të 1.4 miliardë katolikëve të botës


Shtuar 18.02.2025 15:33

Tags: ,