Varka me vela mbytet në brigjet e Siçilisë, 1 e vdekur, 6 të zhdukur dhe 15 të mbijetuar! Shpëton për mrekulli foshnja njëvjeçare

Një varkë me vela 56 metra e gjatë dhe me 22 persona në bord, u mbyt rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm (19 Gusht) në brigjet jugore të Italisë. Bilanci i deritanishëm është 1 i vdekur, 6 të zhdukur dhe 15 të mbijetuar.

Ngjarja ndodhi gjysmë milje larg bregut, në shtrirjen e detit përballë Porticello, një qytet bregdetar disa kilometra larg Palermos. Pesëmbëdhjetë persona u shpëtuan nga ekuipazhi i një tjetër varke me vela, “Sir Robert BP”, e cila ishte afër dhe më pas nga anijet patrulluese të rojës bregdetare dhe të zjarrfikësve, shkruan “La Repubblica”.

Tashmë ka një viktimë të sigurt: kuzhinierja e varkës, e lindur në Kanada, por shtetase e Antiguas. Gjashtë persona janë të zhdukur deri tani, kryesisht pasagjerë (katër anglezë dhe dy amerikanë). Gjashtë të ftuarit e tjerë u shpëtuan, si dhe anëtarët e ekuipazhit.

Mjeti lundrues sipas hetuesve dhe ekspertëve, ndodhet 49 metra në thellësi. Në operacion kërkim-shpëtimi janë aktivizuar zhytësit dhe zjarrfikësit. Varka dyshohet se u fundos për shkak të tornados që goditi zonën.

Varka me vela “Bayesian”, mban flamurin anglez dhe i përket një kompanie franceze që i merr me qira. Në bordin e një grupi turistësh që kishin zgjedhur Sicilinë për të kaluar pushimet, mes të mbijetuarve ishte edhe një vajzë angleze 1-vjeçare, e cila u dërgua në spitalin “Di Cristina” në Palermo.

E kontrolluar menjëherë, ajo është në gjendje të mirë shëndetësore. Nëna që është me të është trajtuar për një plagë në shpatull. Babai është shtruar po në spital.

Helikopterë dhe zhytës patrullojnë dhe kontrollojnë për të mbijetuar. Hetimet kryhen nga Autoriteti Portual. Në orët në vijim do të intervistohen 15 të mbijetuarit, mes të cilëve edhe komandanti i varkës, i cili arriti të shpëtojë veten.

“Bayesan”, një varkë me vela 56 metra, me një tonazh bruto prej 473 tonësh, u ndërtua nga kantieri i anijeve “Perini Navi Viareggio”, në shkurt 2008 dhe u rinovua në vitin 2020. Sipas “Vessel Finder”, vendi që gjurmon rrugët e anijeve, anija mbërriti në Porticello pas një ndalese në Milazzo dhe një kalimi përballë Cefalù.

 


Shtuar 19.08.2024 12:30