Ushtria izraelite ka njoftuar se ka shkatërruar një qendër komanduese nëntokësore të Hezbollahut, pika më e thellë brenda Libanit që ata kanë tentuar deri më sot që kur filluan operacionet e tyre tokësore. Trupat e Divizionit 98 bastisën një postë komanduese të Hezbollahut, për të cilën ushtria tha se përmbante pajisje vëzhgimi që monitoronin qytetet izraelite në rajonin e Galilesë.
Ushtarët izraelitë gjetën gjithashtu pajisje shpërthyese, armë dhe materiale të inteligjencës. IDF nuk zbuloi vendin e saktë në Libanin jugor ku ndodhej qendra specifike e komandës apo detaje të tjera në lidhje me të.
Në të njëjtën kohë, ata u bënë thirrje qytetarëve libanezë që ndodhen pranë dy ndërtesave në periferinë jugore të Bejrutit, Dahiya, e cila është një bastion i Hezbollahut që të evakuohen menjëherë, pasi sulmet ajrore janë të pashmangshme. Madje, së bashku me njoftimin publikojnë në gjuhën arabe harta, në të cilat kërkojnë nga qytetarët që të largohen së paku 500 metra nga këto vendodhje.