“Ulërasin nga dhimbjet”, pacientët në Gaza operohen pa anestezi

Rrëfimet që vijnë nga situata në Gazë, janë çdo ditë dhe më shumë të rënda dhe tronditëse. Mjekët në të gjithë Gazën po përballen me mungesë të medikamenteve, ndërsa kanë rrëfyer vështirësitë që po përballen. Ata tregojnë se operacionet e pacientëve kryhen pa anestezi dhe trajtimi i plagëve bëhet me mjete të kufizuara mjekësore.

“Për shkak të mungesës së ilaçeve kundër dhimbjeve, ne i lëmë pacientët të bërtasin për orë të tëra”, tha një mjek për BBC.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se 23 spitale në Gaza nuk po funksiononin fare që nga e diela, 12 funksiononin pjesërisht dhe një minimalisht, sipas BBC. Agjencia shëndetësore tha se sulmet ajrore dhe mungesa e furnizimeve kanë “shteruar një sistem tashmë pa burime”.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thonë se Hamasi “përdor sistematikisht spitalet dhe qendrat mjekësore për aktivitetet e tij terroriste”. Shumë nga spitalet e Gazës janë të mbipopulluar dhe kanë pajisje të kufizuara, thonë punonjësit e kujdesit shëndetësor. Ka raporte se disa spitale në Gazën jugore po funksionojnë me mbi 300% të kapacitetit të tyre të shtratit.

Katër spitale fushore janë ngritur në Gaza, me 305 shtretër, sipas OBSH-së. Të dielën, ajo tha se spitali Nasser në Gazën jugore ishte objekti i fundit që u bë jofunksional, pas një bastisjeje nga forcat izraelite.

Yousef al-Akkad, drejtor i Spitalit Evropian të Gazës në qytetin jugor të Khan Younis, e përshkroi situatën aktuale atje si “më të keqen me të cilën jemi përballur që nga fillimi i luftës”. Ai tha se spitali nuk kishte shtretër të mjaftueshëm për pacientët që kishin nevojë për trajtim, kështu që stafi ishte duke vendosur çarçafë mbi korniza metalike dhe dru, dhe duke vendosur “shumë pacientë në dysheme pa asgjë fare”.


Shtuar 19.02.2024 16:25