Nga Lasha Tchantouridze “National Interest”
Çlirimi i Khersonit përfaqëson një sukses tjetër të madh për luftën e popullit ukrainas kundër forcave pushtuese ruse. Tërheqja e rusëve nga Kherson është pengesa më e rëndësishme e Moskës që nga dështimi i ngjashëm në Kharkiv.
Megjithatë, fitorja e Ukrainës mund të jetë një thikë me dy presa, pasi mund ta nxisë aleatin e saj më të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara, të ushtrojë presion ndaj Kievit për të kërkuar një zgjidhje diplomatike të konfliktit me Moskën. Nga këndvështrimi i Uashingtonit, ky opsion mund të duket i arsyeshëm, logjik dhe human.
Por në planin afatgjatë, ai nuk do të zhdukë kërcënimet e sigurisë ndaj Ukrainës dhe Evropës që burojnë nga Rusia. Nga ngrirja e konfliktit në Ukrainë mund të përfitojë Rusia dhe Perëndimi, por kjo lëvizje nuk do të zgjidhë problemet që kjo ka krijuar lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, dhe midis Rusisë dhe Perëndimit, raporton albeu.com.
Problemi më i madh i ushtrisë ukrainase pas çlirimit të Khersonit, është kryerja e operacioneve tokësore gjatë sezonit të dimrit. Një sulm përtej lumit Dnipro në Ukrainën Jugore as që mund të diskutohet, pasi do të shkaktonte humbje në nivele të papranueshme.
Mundësia e vetme për operacione sulmuese, qoftë për ushtrinë ukrainase ashtu edhe atë ruse është në rajonin e Donetsk. Por sezoni i dimrit do t’i vështirësojë operacionet sulmuese, duke testuar qëndrueshmërinë e personelit dhe pajisjeve. Po ashtu, rritja e kostos së jetesës dhe kriza e furnizimit me energji, mund të pakësojë durimin e aleatëve evropianë.
Moska do të vazhdojë të shfrytëzojë pasiguritë dhe ankthet e evropianëve, duke iu referuar periodikisht armëve bërthamore dhe “bombave të pista”. Ndërkohë Kievi do të vazhdojë të sulmojë flotën ruse të Detit të Zi me flotën e re të dronëve lundrues. Ngrirja e konfliktit pas çlirimit të Khersonit, premton përfitime të prekshme për Moskën, sidomos nëse një armëpushim arrihet nën “realitetet e reja”.
Kremlini mund të pretendojë fitoren, duke këmbëngulur se shumica e “territoreve historike” të Rusisë janë rimarrë tashmë nga Ukraina. Ura tokësore nga Rusia në Krime, do të sigurojë sigurinë afatgjatë të Krimesë dhe Flotës së Detit të Zi. Moska mund ta përdorë një ndërprerje shumëvjeçare të luftimeve për të rindërtuar forcat e saj tokësore, dhe për ta sulmuar sërish Ukrainën.
Ajo do të përpiqet të bëjë çdo gjë për të ndryshuar fatin e saj në këtë luftë, duke përfshirë zbatimin e versionit të saj të masave të “zbatimit të marrëvshjes paqes”. Kërcënimi i Perëndimit me armë bërthamore dhe “bomba të pista”, dhe goditjet aksidentale me raketa të vendeve anëtare të NATO-s janë tregues të masave të tilla.
Nga ana tjetër Ukraina, do të humbiste në rast se do të pranonte ngritjen e konfliktit dhe t’i lejonte forcat ruse të konsolidonin kontrollin mbi territorin e pushtuar. Sigurisht, paqja do të sjellë përfitimet e saj, duke e hequr presionin nga aleatët perëndimorë të Kievit dhe vetë populli ukrainas.
Por pas atij momenti, Kievi do ta kishte të pamundur të rifillonte luftën, nëse do të synonte të rimerrte territoret e humbura. Njëkohësisht, forcat e armatosura të Ukrainës duhet të kenë një gjendje gatishmërie të vazhdueshme për t’u mbrojtur kundër sulmeve të reja nga Rusia.
Po ashtu, Kievi druhet se mos e humbasë mbështetjen perëndimore për kauzën e tij. Me kontratat bujare të furnizimit me energji, Moska do të gjente aleatë të mundshëm në kryeqytetet evropiane, ashtu siç ka bërë më parë. Mbi të gjitha, frika më e madhe e Kievit është se një kandidat që është i gatshëm të bashkëpunojë me rusët, mund të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA pas 2 vitesh.
Fuqitë e mëdha shpesh bëjnë pazare dhe bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, dhe “monedhat” e tregtisë së tyre janë pikërisht interesat kombëtare të fuqive më të vogla. Udhëheqësit ukrainas nuk duan shkëmbimin e interesave të vendit të tyre, raporton albeu.com.
Edhe politikë-bërësit në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, e kuptojnë se asgjë nuk mund të zgjidhet përfundimisht me një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë. Problemi do t’i kalonte administratës së ardhshme.
Përveç kësaj, edhe do të ishte e mundur nëse arritja e një paqeje afatgjatë midis Ukrainës dhe Rusisë, Moska ka disa konflikte të ngrira, të cilat mund t’i riaktivizojë kur të ndihet e sigurt se ushtria ruse mund të fitojë, ose se mund të arrijë avantazhe të ndjeshme si në Moldavi dhe Gjeorgji.
Po ashtu mund ta zhvendosë vëmendjen e saj në Karabak, dhe të nisë të përforcojë ushtrinë aleatit të saj Armenisë. Opozita bjelloruse është seriozisht e shqetësuar se me një armëpushim në Ukrainë, Rusia mund të rikthehet në veri dhe të aneksojë vendin e saj.
Rusia ka tashmë një prani të konsiderueshme ushtarake në Bjellorusi dhe udhëheqësi autokrat i vendit është praktikisht një kukull në duart e Moskës. Për më tepër, Rusia ka një kontigjent të konsiderueshëm ushtarak në Siri, ka ambicie ndaj Libisë, dhe po kryen operacione paraushtarake në vende të tjera afrikane.
Asgjë nuk e pengon Rusinë të gjenerojë konflikte të reja, sidomos nëse Kremlini beson se përmes tyre mund të dëmtojë interesat perëndimore. Për shembull, nëse një ushtri e rindërtuar ruse pushton Estoninë brenda disa viteve, shumica e luftimeve do të duhej të kruheshin nga aleatët e Estonisë në NATO, dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara.
Nga një këndvështrim politik, është një opsion shumë më i mirë për Shtetet e Bashkuara është që Rusia të mposhtet tërësisht në Ukrainë, në mënyrë që të mos jetë në gjendje të zhvillojë një luftë të tillë për të paktën një gjeneratë. Megjithatë, ka arsye të tjera se përse Uashingtoni mund të dëshirojë të sigurojë paqen.
Kërcënimet e përsëritura të Moskës për të përdorur armë bërthamore, e gjallërojnë ndjeshëm këtë argument. Nëse Ukraina dhe Rusia do të arrinin një kompromis, qoftë edhe për disa vite, kjo do të largonte kërcënimin e menjëhershëm të luftës bërthamore midis NATO-s dhe Rusisë.
Edhe pse SHBA-ja dhe Rusia do të përfitonin pra nga një armëpushim, një marrëveshje e shpejtë paqeje mund të jetë e vështirë që arrihet. Së pari, Ukraina nuk do të binte dakord, dhe fqinjët e saj të NATO-s (përveç Hungarisë) do të kundërshtonin me forcë.
Po ashtu, edhe Moska mund të mos jetë shumë e interesuar për arritjen e paqes, dhe të vendosë të luajë për të blerë kohë, duke e zgjatur sa më shumë ngërçin në fushën e betejës. Shpresa nuk është një strategji, por nëse diçka në Uashington ndryshon në favor të Rusisë, kjo do ta ndihmonte Kremlinin të arrinte objektivat e tij afatgjata.
Shënim: Lasha Tchantouridze, profesor dhe drejtor i programeve të diplomimit për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Noruçit, Angli.
/albeu.com