Ukraina ka një rezistencë sekrete që vepron prapa linjave ruse

Nga Norma Costello & Vera Mironova “Foreign Policy”

Kiev, Ukrainë – Në një rrugë të frekuentuar në qendër të Kievit, një burrë i gjatë me kapuç të zi qëndron jashtë një kafeneje duke pirë cigare. Burri në mesin e të 40-ave nuk është intervistuar kurrë më parë, dhe kjo për arsye të forta.

Posti i tij zyrtar, kreu i Komitetit të Veteranëve, mund të tingëllojë si roli i një nëpunësi publik të mirë, por Mykhailo – një pseudonim i zgjedhur enkas për këtë artikull për të garantuar sigurinë e tij – është shumë larg paradave dhe punëve normale.

Detyra e tij është të bashkëpunojë me ata që luftojnë fshehurazi për Ukrainën prapa linjave të armikut. Mykhailo është një nga strategët dhe organizatorët kryesorë të partizanëve të Ukrainës brenda territorit të pushtuar nga Rusia. “Nëse më vrasin, ka shumë të tjerë që mund të më zëvendësojnë. Na është dashur që t’i përshtatemi rrethanave dhe të bëhemi më kreativë. Ata mund të jenë të fortë, por ne e përdorim mendjen tonë”- na thotë ai.

Pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, shoqatat e “veteranëve të fjetur” u bënë protagonistët kryesorë të rezistencës ukrainase brenda territorit të pushtuar. Rrjetet e tyre mbështeteshin shumë tek vullnetarët e përkushtuar, të cilët sipas Mykhailos, ishin atje disa muaj përpara ofensivës në shkallë të plotë që nisi Rusia në shkurt.

“Ne thamë që në vitin 2014 se rusët nuk do të ndaleshin në ato rajone. Pra, në një farë mënyre, vendi po përgatitej. Veteranët e vitit 2014 kanë qenë pjesë e këtij plani dhe tani gati të gjithë janë kthyer në ushtri. Ne kemi trajnuar njerëz në zonat që e dinim se do të goditeshin herët. Edhe në shkolla i përgatitëm psikologjikisht fëmijët tanë”- nënvizon ai.

Mykhailo thotë se në fillim politikanët e shpërfillën alarmin që dhanë shumë nga pjesëtarët e ushtrisë dhe shërbimet e sigurisë së Ukrainës, duke preferuar qasjen “prit, shih dhe bëj” ndaj sulmeve të afërta ruse. Gjithsesi, pas disa lobimeve të suksesshme nga njerëz si Mykhailo, në korrikun e vitit 2021 Ukraina miratoi Ligjin për Bazat e Rezistencës Kombëtare, që synonte të maksimizonte rolin e civilëve në mbrojtjen e Ukrainës.

Ai ligj ndihmoi në krijimin e grupeve të mbrojtjes territoriale në lagje, dhe lidhjen e këtyre grupeve me aparatin më të gjerë të sigurisë dhe atë  ushtarak të Ukrainës. Deri në shkurt, u krijuan qendra të improvizuara të shpërndarjes për ata që nuk kishin armë dhe as ishin trajnuar, në mënyrë që civilët të mbronin lagjet e tyre në të gjithë vendin.

Mykhailo tha se pas tronditjes fillestare që shkaktoi sulmi i 24 shkurtit, këto rrjete lokale të mbrojtjes civile filluan të ndërlidhen me njëri-tjetrin. Në fillim, organizatorë si Mykhailo, shumë prej të cilëve janë veteranë ushtarakë me përvojë në luftime në rajonet Donetsk dhe Luhansk, dhe që tani punojnë në bashkëpunim me ushtrinë e ukrainës dhe shërbimin e sigurisë në Kiev, filluan të fokusohen në koordinimin e rrjedhës së informacionit.

Ata kishin për detyrë të kuptonin se çfarë po sulmohej, ku kërkoheshin armë, dhe si t’i çonin ato atje. Në vendet e pushtuara si Sumy dhe Kharkiv, ku shpërthyen luftimet urbane kundër forcave ruse, rrjetet e mbrojtjes mbështeteshin kryesisht tek ish-ushtarët, të cilët ndonjëherë ishin të plagosur nga shërbimi i tyre i mëparshëm në front.

“Këta burra dinë të përdorin armë. Ata u stërvitën në kohën e ushtrisë sovjetike, ndaj i njohin taktikat e Rusisë. Ne krijuam rrjete dhe në këtë skemë u përfshinë familje të tëra. Por lëvizjet guerile nuk përbëheshin vetëm nga ish-ushtarë. Mykhailo tha se nëpunësit civilë, punonjësit e postës, madje edhe gjuetarët luajtën një rol vendimtar në lëvizjen partizane të Ukrainës.

“Njerëzit që i njihnin mirë pyjet donin të na ndihmonin. Disa punonin në sektorin e pyjores, të tjerët ishin gjuetarë pa leje. Njohuritë e tyre territoriale ishin shumë më vlerë. Ndaj ne bashkëpunuam me ta për të përdorur rrugë të reja për gjetjen e të dhënave mbi lëvizjen e trupave ruse, dhe për të parë nëse veprimet tona brenda zonës së tyre kishin qenë të suksesshme”- tha ai.

Një histori e habitshme ka të bëjë me Kaban, një qen gjuetie i përdorur në një mision me rëndësi. Kur Rusia filloi të sulmonte Kievin, ushtria filloi të kuptonte se ishte në një pozicion shumë të dobët, prandaj filloi të përdorte burimet natyrore.

Në rajonin e Kievit, u hartuan plane se si të përmbyteshin lumenjtë në mënyrë që të pengoheshin rusët të ndërtonin ura të përkohshme. Në një rast, kur duhej të ngrihej ndjeshëm nivelin e një lumi, u godit një digë, por nuk kishte asnjë mënyrë për të kontrolluar nëse sulmi kishte dhënë rezultatet e dëshiruara.

Një gjuetar vendas ofroi qenin e tij Kaban, që u pajis me një kamera GoPro, i cili udhëtoi brenda territorit të pushtuar nga Rusia për të sjellë pamjet e vlefshme, që më pas u dërguan përmes rrjetit partizan klandestin në Kiev. Por si arriti pronari i tij të tërhiqte Kaban nga territori i armikut?

“Pronari i tij i fishkëlleu”- na tregon duke qeshur Mykhailo. Falë veprimeve të Kaban, shërbimet ukrainase të sigurisë, ishin në gjendje të konfirmonin se misioni i tyre ishte i suksesshëm. Partizanët përdorën çdo burim që kishin në dispozicion në territorin e pushtuar.

Ndërkohë, gratë që shpërndanin pensionet brenda territoreve të pushtuara, filluan të mbledhin informacione për lëvizjet e rusëve. Edhe pas shpërndarjes së parave, ato vazhduan të udhëtonin shtëpi më shtëpi nën pretendimin e shpërndarjes së pensioneve.

“Ato kanë  dhënë një ndihmë të paçmuar”- thotë Mykhailo, që flet mbi këto mënyra për shkak se tashmë ato janë demaskuar nga rusët. Ndërkohë çdo ditë po përdoren shumë metoda të reja. “Shumë prej partizanëve tanë janë vrarë ose torturuar, por ata vazhdojnë të jenë vullnetarë, gjyshe, motra dhe nëna”- deklaron ai.

Igor, një 46-vjeçar nga rajoni Kherson i çliruar së fundmi, ishte pjesë e rrjetit partizan të Mykhailo, derisa misioni i tij që ishte filmimi i lëvizjeve të rusëve, e çoi në prag të arrestimit, ndërsa në fund arriti të largohet.

“Nisa të filmoj lëvizjen e trupave dhe armëve rusëve me telefonin tim celular. Më në fund ata e kuptuan se dikush nga fshati im po filmonte, ndaj mbyllën postblloqet dhe filluan të kontrollojnë telefonat tanë. Unë i fshiva fotot nga arkivi por jo nga koshi. Kur i gjetën fotot dhe u përpoqën të më arrestonin, shumë njerëz i rrethuan, dhe disa nga të afërmit e mi u dhanë para dhe cigare”- tha ai.

Mykhailo punon ngushtësisht me shërbimin e sigurisë të Ukrainës, SBU, që merret me lëvizjet kryengritëse brenda Ukrainës. “Nga zbulimi i një depoje ruse me armë brenda Kievit deri tek zbulimi i një kuzhinieri ukrainas që shiste koordinatat dhe oraret e vakteve në një kazermë ushtarake në Rivne për 300 dollarë, shërbimet e sigurisë të Ukrainës janë vazhdimisht në gatishmëri për të dhënat që na japin njerëzit tani në zonat e pushtuara. Ndonjëherë e bëjnë këtë shërbim për para, por shuma është e papërfillshme, në krahasim me përfitimet”- thotë Olek, një oficer i SBU-së.

Ndërsa SBU-ja dhe oficerët e saj kanë nisur përgatitjet kundër rebelimeve të mundshme në Kherson-in e çliruar së fundmi, Mykhailo vazhdon të punojë me partizanët brenda territorit të pushtuar nga Rusia. Ata i përshtatin vazhdimisht taktikat e tyre për të përballuar sfidat e reja dhe për të shfrytëzuar dobësitë ruse. “Duket që Putin nuk i ka lexuar librat e tij të historisë, përndryshe do të kishte mësuar mbi partizanët tanë. Stalini i njohu shumë mirë ata”- thotë ai.

/albeu.com


Shtuar 23.11.2022 09:06