Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një leje të përkohshme kompanisë serbe të naftës NIS, e cila kontrollohet nga kompani ruse dhe është nën sanksione amerikane, që të mund të rifillojë prodhimin deri më 23 janar.
Lajmin e dha mbrëmjen e sotme ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Đedović Handanović.
“Kompanisë NIS i është dhënë leje nga OFAC (Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja pranë Departamentit të Thesarit të SHBA-së) që i lejon të vazhdojë aktivitetin deri më 23 janar. Kjo do të thotë se rafineria e Pançevos do të mund të rifillojë funksionimin pas 36 ditësh,” shkroi ministrja në Instagram.
Pas nëntë muajsh shtyrjesh të njëpasnjëshme, më 9 tetor, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj NIS, duke e akuzuar se financon pushtimin rus në Ukrainë, pasi kontrollohet 56% nga kompanitë ruse Gazprom Neft dhe Intelligence.
Rafineria e saj në Pançevo, pranë Beogradit, që mbulon rreth 80% të tregut serb, u detyrua të ndalojë aktivitetin në fillim të dhjetorit, pasi Uashingtoni nuk i dha NIS leje të veçantë për importin e lëndëve të para.
