U puthën në ambientet e xhamisë, arrestohet çifti, turistët nga Rusia rrezikojnë dënimin me burg

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Stamboll, ku një çift turistësh nga Rusia janë arrestuar nga autoritetet turke pasi janë puthur brenda ambienteve të xhamisë Çamlica, më e madhja në Turqi.

Ngjarja ndodhi gjatë një vizite turistike në xhami, ku çifti është filmuar duke u përqafuar dhe puthur në oborrin e brendshëm të objektit të xhamisë, veprim që shkaktoi indinjatë te besimtarët e pranishëm.

Sipas mediave turke, policia ndërhyri menjëherë pas incidentit, duke arrestuar çiftin nën akuzën për “fyerje të vlerave fetare”, një vepër penale e dënueshme me 6 muaj deri në 1 vit burg, sipas ligjit turk. Tashmë ata janë në pritje të gjykimit.

Xhamia Çamlica, një ndër atraksionet më të mëdha fetare dhe turistike në Stamboll, është një objekt monumental me kapacitet prej 63,000 personash. Ajo përfshin gjithashtu një muze, një bibliotekë, galeri arti dhe një qendër konferencash, si dhe një parking nëntokësor për 3,500 automjete.

Ngjarja ka shkaktuar debat në rrjetet sociale dhe mediat lokale, duke rikthyer në vëmendje kufijtë mes lirisë personale dhe respektit për simbolet fetare në vende me ndjeshmëri të lartë kulturore.


Shtuar 6.09.2025 23:15