Turqia nxit ringjalljen e bisedimeve të Stambollit për luftën në Ukrainë, Zelensky zhvillon bisedime me Erdoganin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Turqi ku ka takuar dhe po bisedon me homologun e tij turk Recep Tayyip Erdogan.

Sipas burimeve, bisedat do të zhvillohen pa praninë e të dërguarit special të Donald Trumpit, Steve Witkoff, siç sqaroi një zëdhënës i Departamentit të Shtetit amerikan.

“Është gabim të thuhet se i dërguari special Steve Witkoff do të shkojë në Turqi,” deklaroi një zyrtar i lartë i State Department që foli në kushte anonimiteti.

Më herët, një burim i lartë ukrainas kishte lënë të kuptohej se Witkoff mund të merrte pjesë në këto bisedime në Ankara. Zelensky mbërriti paradite në kryeqytetin turk për të tentuar “ringjalljen” e negociatave të paqes me Rusinë, të cilat kanë ngecur prej muajsh.

Ndërkaq, pikërisht sot, të paktën 25 persona humbën jetën dhe mbi 73 u plagosën në një nga sulmet më të rënda ruse në perëndim të Ukrainës, sipas bilancit të fundit.


Shtuar 19.11.2025 19:23