Turqia ka nënshkruar një marrëveshje me Irakun, sipas së cilës projektet e infrastrukturës ujore, që do të realizohen nga kompani turke, do të financohen përmes të ardhurave nga shitjet e naftës irakiane, siç bëri të ditur ditën e sotme një zyrtar turk.
Zyra e kryeministrit irakian njoftoi se të dy vendet kanë nënshkruar një marrëveshje për mekanizmin e zbatimit të një bashkëpunimi për çështjet e ujit, i cili fillimisht ishte arritur në vitin 2024.
Nuk janë dhënë detaje për mekanizmin e saktë të zbatimit. Sipas një zyrtari turk, qeveria irakiane do të krijojë një komision për projektet e infrastrukturës ujore dhe do të ftojë kompani turke të paraqesin ofertat e tyre, ndërsa pagesat do të bëhen nga të ardhurat e shitjeve të naftës që eksportohen drejt Turqisë.
Një zyrtar irakian i infrastrukturës ujore bëri të ditur se paketa e parë e projekteve përfshin ndërtimin e tre digave për mbledhjen e ujit dhe tre iniciativa për rehabilitimin e tokës bujqësore.
Marrëveshja kornizë për bashkëpunimin në fushën e ujit ishte nënshkruar në prill 2024, gjatë vizitës së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Bagdad, çka shënoi përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve pas shumë vitesh tensioni.
Mungesa e burimeve ujore në Irak mbetet një problem i vazhdueshëm, pasi rreth 70% e ujërave të vendit vijnë nga shtetet fqinje, kryesisht përmes lumenjve Tiger dhe Eufrat, të cilët e kanë burimin në Turqi.
