Turqia dhe Britania nënshkruajnë marrëveshjen që i lejon Ankarasë të jetë përdoruese e aeroplanëve luftarakë Eurofighter

Turqia dhe Britania kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi (MoU) për t’i lejuar Ankarasë të jetë përdoruese e aeroplanëve luftarakë Eurofighter Typhoon, në një hap të madh drejt sigurimit të prokurimit të avionëve pas vitesh negociatash.

Turqia ka qenë në bisedime për të blerë 40 aeroplanë luftarakë, të cilët janë ndërtuar nga një konsorcium i Gjermanisë, Britanisë, Italisë dhe Spanjës, të përfaqësuar nga Airbus, BAE Systems dhe Leonardo.

“Ministrat e Mbrojtjes kanë nënshkruar sot së bashku një Memorandum Mirëkuptimi. Ky dokument kodifikon marrëdhëniet midis vendeve, duke i çuar ato një hap më afër një marrëveshjeje të plotë për Typhoon”, tha Ministria Turke e Mbrojtjes në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja.

“Të dy Ministrat e mirëpresin nënshkrimin si një hap pozitiv drejt sjelljes së Turqisë në klubin Typhoon dhe ndajnë një ambicie të ndërsjellë për të përfunduar marrëveshjet e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur”, është thënë më tej në deklaratë.

Më parë, revista Spiegel raportoi se Gjermania kishte hapur rrugën edhe për dorëzimin e 40 aeroplanëve luftarakë në Turqi, pas një vendimi pozitiv nga këshilli federal i sigurisë.

Marrëveshja vjen një ditë pas bisedës telefonike të presidentit Rexhep Tajip Erdogan me kryeministrin britanik Keir Starmer, në të cilën ata shqyrtuan progresin e fundit në lidhje me prokurimin e mundshëm të aeroplanëve luftarakë nga Turqia.

Të dyja palët shprehën optimizëm se zhvillimet në këtë fushë do të forconin më tej bashkëpunimin në mbrojtje midis Ankarasë dhe Londrës.

Erdogan më herët të dielën tha se Britania dhe Gjermania treguan një qëndrim “pozitiv” ndaj blerjes së mundshme të Eurofighters nga Turqia, duke theksuar se Ankaraja dëshiron ta finalizojë blerjen sa më shpejt të jetë e mundur.


Shtuar 23.07.2025 14:56