Komisioni Europian ka reaguar në lidhje me rritjen e tarifave amerikane për importet e çelikut duke thënë se BE është e gatshmë të prezantojë kundërmasa. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, tha dje se planifikon të rrisë tarifat nga 25 për qind në 50 për qind duke rritur kështu presionin ndaj prodhuesve globalë të çelikut dhe duke u zotuar të thellojë luftën e tij tregtare.
“Na vjen keq shumë për rritjen e paralajmëruar të tarifave amerikane për importet e çelikut nga njëzetepesë në pesëdhjetë për qind”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian në një deklaratë.
“Ky vendim kontribuon në pasiguri shtesë kur bëhet fjalë për ekonominë globale dhe ndikon në koston e konsumatorëve dhe bizneseve në të dy anët e Atlantikut,”-tha zëdhënësi, duke shtuar se “rritja e tarifave minon gjithashtu përpjekjet aktuale për të arritur një zgjidhje të dakorduar”.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha gjithashtu se Bashkimi Evropian kishte vendosur të ndalonte kundërmasat e tij për të lënë hapësirë për negociata të mëtejshme.
“BE është e gatshme të prezantojë kundërmasa, të cilat do të përfshijnë një përgjigje ndaj rritjes së fundit të tarifave të Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”-tha zëdhënësi.
“Komisioni Evropian aktualisht po finalizon konsultimet mbi kundërmasat e zgjeruara. Nëse nuk arrihet një zgjidhje e pranueshme reciprokisht, masat ekzistuese dhe ato shtesë të BE-së do të hyjnë automatikisht në fuqi më katërmbëdhjetë korrik dhe ndoshta më herët nëse rrethanat e kërkojnë këtë.”-thuhet në deklaratë.