Trump: Presidenti Xi i kupton pasojat e pushtimit të Tajvanit nga Kina

Presidenti i SHBA-së Donald Trump, tha se homologu i tij kinez, Xi Jinping, “i di pasojat” e një pushtimi ushtarak të Tajvanit, por nuk pranoi të thoshte nëse Uashingtoni do ta mbronte ishullin ushtarakisht. Në një intervistë me emisionin “60 Minutes” të CBS, Trump tha se çështja e Tajvanit as nuk u përmend gjatë takimit të tij me Xi në Korenë e Jugut.

Kur u pyet nëse do t’i urdhëronte forcat amerikane të vepronin në rast të një sulmi kinez, Trump u përgjigj: Do ta dini nëse ndodh. Ai e di përgjigjen.

Presidenti amerikan shmangu shpjegimet e mëtejshme, duke thënë vetëm: Nuk mund t’i zbuloj sekretet e mia. Pala tjetër e di.

Sipas tij, Xi dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë kanë deklaruar “hapur” se ata nuk do të bënin kurrë gjë për sa kohë që Trump është president.

Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj, ndërsa Shtetet e Bashkuara , megjithëse zyrtarisht njohin vetëm Pekinin, i furnizojnë Tajpeit pajisje mbrojtëse. Çështja e Tajvanit mbetet një pikë tensioni në marrëdhëniet Uashington-Pekin, megjithëse takimi midis dy udhëheqësve duket se u dominua nga diskutimet rreth çtensionimit të luftës tregtare midis dy superfuqive.


Shtuar 2.11.2025 21:25

Tags: ,