Trump paralajmëron bisedime të reja për luftën në Ukrainë: Putini e di qëndrimin tim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar sot se pritet të zhvillojë bisedime të reja për luftën në Ukrainë në ditët e ardhshme, pas dështimit të përpjekjeve në takimin e fundit me homologun rus, Vladimir Putin, në samitin e mbajtur në Alaskë më 15 gusht.

Trump, i cili ka premtuar se do ta përfundojë luftën shumë shpejt që në momentin që mori detyrën në janar, ka shprehur zhgënjim për mungesën e progresit në terren. Ai theksoi se nuk ka një mesazh të ri për presidentin Putin, duke shtuar:

“Ai e di qëndrimin tim dhe do të marrë një vendim. Nëse do jemi të kënaqur me të, mirë. Nëse jo, ju do të shihni çfarë do të ndodhë”.

Ndërkohë, presidenca franceze ka konfirmuar se disa liderë evropianë, përfshirë Emmanuel Macron dhe Zelensky, do të zhvillojnë një telefonatë me Trumpin të enjten pasdite, në kuadër të një takimi kryesisht virtual me rreth 30 vende, i organizuar nga

Franca, për të diskutuar mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë.

Pritet që në këtë takim, liderët evropianë të dënojnë mungesën e vullnetit nga ana e Moskës për të angazhuar bisedime serioze për paqe, ndërkohë që Rusia nuk ka treguar interes për t’i dhënë fund konfliktit.


Shtuar 3.09.2025 23:32