Në një intervistë për Fox News Radio, presidenti amerikan Donald Trump u shfaq i bindur se homologu rus Vladimir Putin do të shfaqë gatishmëri për një marrëveshje. Sipas tij, kërcënimi për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë ka qenë një faktor vendimtar për organizimin e takimit. Trump theksoi se incentivat ekonomike dhe sanksionet janë “mjete shumë të fuqishme” në negociata.
Presidenti sqaroi se takimi i nesërm do të shërbejë si përgatitje për një takim të dytë, i cili, sipas tij, do të ketë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje. Megjithatë, Trump shmangu dhënien e detajeve mbi përmbajtjen e mundshme të një marrëveshjeje apo mbi natyrën e incentivave dhe sanksioneve që mund të diskutohen.
Ai shtoi se ekziston një mundësi prej 25% që ky takim të mos sjellë rezultate.
Në të njëjtën kohë, Trump deklaroi se duhet të ndodhë një “shkëmbim kufijsh” mes Kievit dhe Moskës, pa dhënë më shumë shpjegime për këtë propozim.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se ka në plan të komunikojë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe me liderë evropianë pas përfundimit të samitit, por sqaroi se nuk do të ketë ftesa për palët e tjera nëse bisedimet me Putinin nuk shkojnë siç pritet.
I pyetur nëse do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin rus, Trump u tregua i rezervuar, duke thënë se ende nuk është e sigurt nëse do të ketë një dalje të përbashkët për mediat. Megjithatë, ai premtoi se do të bëjë deklarata menjëherë pas takimit, pavarësisht rezultatit.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar më herët se pas samitit do të mbahej një konferencë e përbashkët mes dy liderëve, çka lë të kuptohet se mund të ketë mospërputhje qëndrimesh brenda vetë administratës amerikane.