Trump: Nëse Gjykata anulon tarifat do i kushtojë ekonomisë amerikane 3 trilionë dollarë

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën se Shtetet e Bashkuara do të përballen me një humbje prej rreth 3 trilionë dollarësh nëse administrata e tij humbet çështjen për tarifat tregtare në Gjykatën e Lartë. Me këtë deklaratë, Trump duket se po përpiqet të rrisë presionin ndaj Gjykatës, për të mbrojtur një nga shtyllat kryesore të politikës së tij ekonomike.

Ai paralajmëroi se, në rast humbjeje, SHBA-të do të detyroheshin të kthejnë miliarda dollarë në formë rimbursimesh, ndërsa përsëriti premtimin e tij për një dividend prej 2,000 dollarësh për shumicën e amerikanëve nga të ardhurat e mbledhura nga tarifat. Trump ka theksuar disa herë se një vendim negativ “mund të shkatërrojë vendin”.

“Gjykata e Lartë mori informacione të pasakta. Një vendim kundër tarifave do të nënkuptonte humbje që kapin shifrën mbi 3 trilionë dollarë, duke përfshirë investimet e kryera apo të planifikuara dhe kthimet e fondeve,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social të martën në mëngjes.

Ai shtoi se një skenar i tillë do të përbënte “kërcënim për sigurinë kombëtare” dhe “katastrofë për të ardhmen e vendit”.

Vetëm pak orë më herët, Trump kishte përmendur një humbje prej 2 trilionë dollarësh, duke e rritur më pas vlerësimin në 3 trilionë.

Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga tarifat për vitin fiskal 2025 arritën në rreth 195 miliardë dollarë, ndërsa aktualisht mblidhen rreth 35 miliardë dollarë në muaj, ritëm që përkthehet në 420 miliardë dollarë në vit nëse vazhdon në këtë nivel.

Ndërkohë, marrëveshjet tregtare me Japoninë, Korenë e Jugut dhe Bashkimin Evropian parashikojnë investime mbi 1.5 trilionë dollarë në ekonominë amerikane gjatë viteve në vijim, megjithëse këto mbeten zotime afatgjata dhe jo pagesa të menjëhershme.

Gjykata e Lartë ka trajtuar çështjen më 5 nëntor, duke ngritur pyetje për mundësinë e rimbursimeve, por nuk dihet ende nëse ky element do të përfshihet në vendimin përfundimtar. Në rast se tarifat anulohen, çështja e rimbursimeve mund të hapë një betejë të re ligjore.


Shtuar 11.11.2025 22:36

Tags: ,