Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se marrëdhëniet me Kinën janë të mira dhe se dy vendet “kuptojnë njëri-tjetrin”, pavarësisht tensioneve të mëparshme për çështje tregtare dhe të sigurisë.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se është në interes të SHBA që të ketë bashkëpunim me Pekinin, duke e cilësuar këtë si “diçka shumë të mirë”.
Gjatë bisedës, gazetarja Maria Bartiromo i kujtoi rastet e mëparshme të sulmeve kibernetike, vjedhjes së pronësisë intelektuale, pandemisë së COVID-19 dhe trafikut të fentanilit, për të cilat SHBA ka fajësuar Kinën.
Trump reagoi duke thënë:
“A mendoni se ne nuk veprojmë në të njëjtën mënyrë ndaj tyre? E bëjmë. Kështu funksionon bota. Është një botë e ashpër.”
Lidhur me tarifat 145% ndaj produkteve kineze, të cilat u pezulluan deri në gusht, Trump u shpreh se vendimi i tij në prill për t’i vendosur këto tarifa kishte ndikuar menjëherë:
“Gjithçka u ndal në Kinë kur vendosëm tarifat.”
Ndërkohë, Pekini njoftoi se ka konfirmuar një marrëveshje të përkohshme tregtare me SHBA, që parashikon heqjen graduale të kufizimeve ndaj produkteve kineze dhe rritje të mundshme të eksporteve.
Pas bisedimeve të mbajtura në maj në Gjenevë, të dy vendet ranë dakord të ndalin luftën tregtare, duke reduktuar përkohësisht tarifat reciproke që kishin vendosur mbi produktet e njëra-tjetrës.