Trump i kërkon presidentit izraelit ta falë Netanyahun: Ky rast kundër ‘Bibit’ është ndjekje penale politike

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, e ka pranuar një letër nga presidenti amerikan, Donald Trump, në të cilën ai i bëri thirrje ta shqyrtojë mundësinë e faljes për kryeministrin Benjamin Netanyahu, njoftoi të mërkurën zyra e Herzogut. Netanyahu po përballet tash e një kohë të gjatë me një proces gjyqësor për korrupsion, dhe Trump ka bërë thirrje vazhdimisht që aleati i tij i ngushtë të falet. Netanyahu i mohon akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.

“Derisa e respektoj plotësisht pavarësinë e sistemit gjyqësor të Izraelit, unë besoj se ky ‘rast’ kundër Bibit, i cili ka luftuar përkrah meje për një kohë të gjatë – përfshirë edhe kundër armikut shumë të ashpër të Izraelit, Iranit – është ndjekje penale politike dhe e paarsyeshme”, thuhet në letrën e Trumpit, sipas zyrës së Herzogut.

Zyra sqaroi se kushdo që kërkon falje presidenciale duhet ta dorëzojë një kërkesë formale në përputhje me procedurat e përcaktuara. Gjatë vizitës së Trumpit në Izrael në tetor, ai gjithashtu kishte bërë thirrje publikisht në Parlamentin e Jerusalemit që Herzog ta falte kryeministrin.

Kundër Netanyahut u ngrit aktakuzë në vitin 2019 në tri çështje, përfshirë për akuzat se i kishte pranuar dhurata në vlerë të rreth 211.832 dollarëve nga biznesmenë. Megjithëse posti i presidentit izraelit është kryesisht ceremonial, Herzog ka autoritetin për të falur të dënuar në rrethana të jashtëzakonshme.

Megjithatë, gjyqi ndaj Netanyahut, i cili filloi në vitin 2020, ende nuk ka përfunduar, dhe ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat. Netanyahu e ka përshkruar procesin e tij gjyqësor si “gjueti shtrigash” e së majtës, që synon rrëzimin e një lideri të djathtë të zgjedhur në mënyrë demokratike./REL


Shtuar 12.11.2025 21:48