Opinioni publik dhe qeveria italiane është tronditur nga kërcënimi ndaj vajzës së kryeministres Giorgia Meloni. Përmes një postimi në rrjete sociale personi kërcënues i uroi vajzës së Melonit “të njëjtin fat si Martina Carbonaro”, një vajzë nga Afragola që u vra tragjikisht nga i dashuri i saj.
Ky postim u denoncua nga partia Fratelli d’Italia, e cila e cilësoi si një mesazh “të frikshëm dhe të papranueshëm”. Lidhur me këtë ka reaguar dhe vetë kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, ka premtuar të hetojë autorin që shpërndau mesazhin kërcënues në rrjetet sociale.
“Kjo nuk është një përplasje politike. Nuk është as zemërim. Është diçka më e errët, që tregon për një klimë të sëmurë, një urrejtje ideologjike, në të cilën gjithçka duket e lejueshme, madje edhe dëshira për vdekjen e një fëmije, vetëm për të sulmuar një prind.
Dhe kundër kësaj klime të dhunshme, politika, e gjithë ajo, duhet të dijë të bashkohet. Sepse ka kufij që nuk duhen kaluar kurrë. Dhe mbrojtja e këtyre kufijve është një përgjegjësi që shkon përtej çdo përkatësie”, u shpreh Meloni, duke kërkuar solidaritet nga e gjithë bota politike, nga e djathta në të majtë.