Një grua izraelite ka sjellë në jetë trinjakë këtë të hënë në spitalin nëntokësor Rambam në qytetin e Haifës, ndërsa Izraeli verior ishte në gjendje lufte për shkak të sulmeve të vazhdueshme raketore nga Irani.
Spitali Rambam është një nga institucionet më të mëdha mjekësore në Izraelin verior dhe ka një strukturë të avancuar nëntokësore të projektuar posaçërisht për kohë lufte, e cila përfshin sallat e urgjencës, sallat e operacionit dhe repartet e lindjes.
Të tre foshnjat dhe nëna ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, sipas mjekëve që ndoqën lindjen. Ndërhyrja u bë në një mjedis të izoluar dhe të sigurt, ndërkohë që mbi sipërfaqe dëgjoheshin sirenat paralajmëruese dhe shpërthimet nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit.
Spitali Rambam aktivizoi të gjitha protokollet e tij të emergjencës këtë javë, pas një vale sulmesh me raketa balistike dhe dronë të nisura nga Irani, të cilat goditën disa rajone përfshirë afërsitë e Haifës. Ky është hera e parë që spitali aktivizon tërësisht strukturat nëntokësore për qëllime operacionale që nga ndërtimi i tyre.