Tragjedia në Zvicër, rreth 47 të rinj humbën jetën nga flakët në një klub luksoz skijimi, mbi 100 të plagosur rëndë! Flasin dëshmitarët që panë ‘ferrin’ me sy

Një ngjarje tragjike është regjistruar natën e ndërrimit të viteve në një prej lokaleve të një resorti luksoz skijimi në Crans-Montana, Zvicër, ku të paktën 47 persona kanë humbur jetën dhe rreth 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Flakët përfshinë diskotekën “Le Costellation”, ku qindra të rinj po festonin ardhjen e Vitit të Ri. Mediat ndërkombëtare raportojnë se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga fishekzjarrë të vendosur në shishe shampanje, të cilët u ndezën shumë pranë tavanit të ulët prej druri.

Ende nuk janë zbuluar identitetet e të gjitha viktimave dhe nuk dihet numri i saktë i personave që ndodheshin në lokal në momentin e tragjedisë.

Sipas një dëshmie okulare të raportuar nga Daily Mail, zjarri duket se ka nisur kur një kamerier, i cili po kërcente mbi supet e një kolegu, mbante një fishekzjarr të ndezur, si ata që përdoren në tortat e ditëlindjes, shumë pranë tavanit.

“U afrua shumë pranë tavanit dhe brenda pak minutash gjithçka u përfshi nga flakët”, tha gruaja që ndodhej në vendngjarje, duke përshkruar momentet para shpërthimit.

Një tjetër grua që arriti të shpëtonte tregoi panikun që pasoi:

“Shkallët e daljes nga klubi i natës ishin jashtëzakonisht të ngushta. Njerëzit shtyheshin në turma. Ne arritëm të dilnim në minutën e fundit.”

Fakti që zjarri nisi në bodrumin e barit u konfirmua nga kreu i policisë lokale, Frederick Giesler, i cili theksoi se më pas u krijua një kaos i madh, ndërsa klientët përpiqeshin me dëshpërim të shpëtonin përmes shkallëve të vetme që çonin në katin përdhes dhe jashtë objektit.

Një tjetër dëshmitare okulare, Emma, tha se zjarri shpërtheu pasi njerëzit filluan të festonin duke mbajtur shishe shampanje me fishekzjarrë të ngulur brenda.

Ndërkohë, disa dëshmitarë pretendojnë se fillimisht u dëgjuan shpërthime të fuqishme dhe më pas flakët u përhapën me shpejtësi të pazakontë. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet reale të kësaj tragjedie të rëndë, që ka lënë dhjetëra viktima me kombësi të ndryshme.


Shtuar 1.01.2026 19:00