Tragjedi në Kinë: 22 viktima dhe 3 të plagosur nga një zjarr në një restorant

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Liaoyang në provincën Liaoning të Kinës verilindore, ku një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu në një restorant, duke shkaktuar vdekjen e 22 personave dhe plagosjen e tre të tjerëve. Ngjarja ndodhi të martën, më 29 prill, rreth orës 12:25 me orën lokale.

Presidenti kinez, Xi Jinping, ka bërë thirrje për “përpjekje të jashtëzakonshme” për trajtimin e të plagosurve dhe hetimin e plotë të ngjarjes. Ai e cilësoi zjarrin si “një mësim tronditës”, duke kërkuar identifikimin e shkakut dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Sipas autoriteteve lokale, në vendngjarje janë dërguar 22 automjete zjarrfikëse dhe 85 zjarrfikës. Operacioni i kërkim-shpëtimit është përfunduar, ndërsa shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta.

Media shtetërore Xinhua raporton se hetimet janë në vijim dhe pritet një analizë e detajuar mbi standardet e sigurisë në vend, teksa Kina është përballur shpesh me aksidente industriale për shkak të infrastrukturës së dobët dhe mungesës së masave mbrojtëse.


Shtuar 29.04.2025 19:56

Tags: ,