Tragjedi ajrore në Finlandë: Dy helikopterë përplasen në ajër, pesë viktima

Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë fundjavë në jugperëndim të Finlandës, ku dy helikopterë civilë janë përplasur në ajër dhe më pas janë rrëzuar, duke lënë pesë persona të vdekur – pa asnjë të mbijetuar.

Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën, më 17 maj, në zonën pyjore të Kauttua-s, pranë aeroportit të Eura-s. Sipas Byrosë Kombëtare të Hetimeve të Finlandës (NBI), një helikopter kishte dy pasagjerë dhe tjetri tre. Të dy mjetet u shkatërruan plotësisht nga përplasja dhe rrëzimi.

Sipas autoriteteve, helikopterët ishin regjistruar jashtë Finlandës dhe po udhëtonin nga Tallinn-i i Estonisë drejt Piikajärvi-t në Kokemäki, rreth 15 kilometra larg vendngjarjes.

Policia dhe ekipet e emergjencës mbërritën shpejt pas thirrjes së orës 12:35 të mesditës, por fatkeqësisht, të gjithë pasagjerët u shpallën të vdekur në vendngjarje. Helikopterët u gjetën të ndarë nga njëri-tjetri me një distancë prej rreth 100 metrash.

Hetimet janë duke u zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve finlandeze dhe atyre estoneze, ndërkohë që fokusi është te distanca dhe lartësia e helikopterëve në momentin e përplasjes.

Autoritetet e sigurisë ajrore janë gjithashtu në terren për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie që ka tronditur të dy vendet.


Shtuar 19.05.2025 19:42