Të mbuluar nga pluhuri, fshatarët afganë përballen me pasojat shkatërruese të tërmetit

Pak para mesnatës së të dielës, Matiullah Shahab u zgjua nga lëkundjet e forta që përfshinë shtëpinë e tij në provincën e largët Kunar të Afganistanit.

Një tërmet me magnitudë 6.0 goditi Afganistanin lindor, duke lënë të paktën 800 viktima, sipas Kombeve të Bashkuara.

Edhe pse epiqendra ishte 16 kilometra larg, i gjithë fshati Asadabad, ku jeton Shahab me 23 anëtarë të familjes, u trondit fuqishëm. Të frikësuar se muret mund të shemben, ata u larguan me shpejtësi nga dhomat dhe kaluan gjithë natën në kopshtin e shtëpisë.

“Na kapi frika të gjithëve,” tregon ai.

Zonat më të goditura janë provincat Nangarhar dhe Kunar, ndërsa tërmeti është ndier edhe në Kabul dhe në Islamabad, kryeqytetin fqinj të Pakistanit.

Në agim, Matiullah, gazetar i pavarur dhe aktivist për të drejtat e njeriut, u nis drejt zonave më të goditura. Rrugët e bllokuara nga shkëmbinjtë e detyruan të ecë për dy orë për të arritur në fshatin Andarlachak, ku pamjet ishin tronditëse.

Fëmijë të vegjël po merrnin ndihmë mjekësore në rrugë, dy foshnja të shtrira në një barrelë me mavijosje në fytyrë e kraharor. Trupa të tjerë të vegjël ishin mbuluar me çarçafë të bardhë. Vetëm në këtë fshat, humbën jetën 79 persona.

“Pashë shumë trupa të pajetë,” rrëfen Matiullah për BBC. “Ndjeva pasgoditje tërmeti plot 17 herë.”

Ai ndihmoi banorët të hapnin varret për viktimat. “Fshatrat që vizitova ishin të shkatërruar plotësisht,” shton ai. Një burrë i tregoi se kishte humbur gruan dhe katër fëmijët. Por shumica ishin shumë të tronditur për të folur.

“Fytyrat e njerëzve ishin të mbuluara me pluhur dhe kishte një heshtje të frikshme. Ishin si robotë – askush nuk fliste.”

Rrugët e bllokuara kanë detyruar autoritetet e Talibanit të përdorin helikopterë për operacionet e shpëtimit, por terreni malor dhe i vështirë e bën të pamundur arritjen në disa zona. Ka raportime për njerëz që kanë vdekur nën rrënoja duke pritur ndihmë.

Matiullah tregon se vullnetarët po përpiqeshin të shpëtonin të bllokuarit. Dy gra u nxorën të gjalla nga rrënojat dhe janë dërguar në spital. Ai nuk lejua të fotografojë operacionin e shpëtimit, pasi Talebanët ndalojnë fotografimin e grave.

Shumë banorë po kalojnë netët jashtë, të ekspozuar ndaj kushteve të vështira dhe në mungesë të çadrave.

Një tjetër banor nga distrikti Sokai në Kunar, Ezzatullah Safi, tregon se një pjesë e shtëpisë së tij u shemb nga tërmeti. “U zgjova nga britmat e fëmijëve, grave dhe kafshëve,” tregon ai për BBC.

“Tërmeti ishte i fuqishëm, nata u ndje si një apokalips i vogël. Pas lëkundjeve pati erëra të forta dhe shi të lehtë. Fëmijët më përqafonin duke qarë nga frika, ndërsa pluhuri mbuloi ajrin. Rrjeti celular ra menjëherë dhe nuk kishim si të kontaktonim me të afërmit. Shtëpia ishte e dëmtuar dhe pa energji elektrike, ndaj përdorëm dritat e telefonave.”

Në mëngjes, helikopterët qeveritarë arritën të evakuonin të plagosurit drejt autostradës kryesore të Kunarit, nga ku u transferuan në klinika.

“Atmosfera këtu është e rëndë dhe plot pikëllim,” përfundon Ezzatullah. “Nuk ka energji elektrike, tregjet qëndruan të mbyllura gjithë ditën, dhe disa zona malore janë ende të paarritshme – ndodhen 5-6 orë larg me këmbë.”


Shtuar 1.09.2025 23:10