Sipas autoriteteve në Rripin e Gazës,Izraeli ka liruar rreth 150 të burgosur palestinezë, të arrestuar gjatë operacioneve ushtarake në enklavë. Ata pretendojnë se personat e liruar janë keqtrajtuar gjatë kohës që kanë qenë në paraburgim.
“Është e qartë se këta robër u keqtrajtuan rëndë pasi disa prej tyre u dërguan për trajtim në një spital”, tha zyrtari palestinez për AFP.
Ushtria izraelite nuk komentoi lirimin e të burgosurve, por theksoi se është “absolutisht e ndaluar” keqtrajtimi i të burgosurve.
Grupi i të burgosurve u çua jashtë territorit izraelit përmes pikës kufitare Kerem Shalom, sipas një reporteri të AFP-së dhe Autoritetit Palestinez për Kufijtë.
Pasi kaluan në territorin palestinez, ata morën ndihmën e parë në spitalin Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës. Një nga të burgosurit e liruar tha se ai dhe një shok i tij janë rrahur dhe torturuar gjatë ndalimit të tyre.
“Ushtria lëshoi qen mbi ne për të na sulmuar. Na rrahën dhe na torturuan”, tha ai.
Muajin e kaluar, agjencia e kalimit kufitar tha se 56 palestinezë të liruar nga burgjet izraelite “kishin prova” se ishin torturuar në paraburgim. Ushtria izraelite e mohoi.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinë (UNRWA) shprehu gjithashtu shqetësimin e saj për fatin e të burgosurve të Gazës.