Në prag të takimit që do të mbajë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington me homologun turk Rexhep Tajip Erdogan, presidenti amerikan Donald Trump u pyet nga gazetarët nëse Turqia do të ndalojë blerjen e naftës ruse.
Lidhur me këtë pyetje Trump tha se “do të donte të shihte Turqinë, një anëtare e NATO-s, të ndalonte blerjen e naftës nga Rusia”.
Trump më pas tha se ai dhe Erdogan do të zhvillojnë diskutime dhe “do të arrijnë disa marrëveshje të shkëlqyera tregtare për të dy vendet”.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ndodhet sot (25 shtator) në Uashington, ku pritet të zhvillojë një takim kokë më kokë me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.
trump-erdogan
Siç raporton BBC Erdogan do të pritet në orët në vijim nga Presidenti Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Në takimin dypalësh Erdogan do të kërkojë të arrijë marrëveshje për mbrojtjen dhe energjinë me vlerë dhjetëra miliardë dollarë. Pikë kyçe e diskutimit do të jetë shitja e avionëve luftarakë F-16.
Gjithashtu avionët luftarakë do të jenë një tjetër temë që ka të ngjarë të diskutohet nga palët pasi Trump përjashtoi Turqinë nga programi i saj amerikan F-35 gjatë mandatit të tij të parë.
Pritet që të dy udhëheqësit të diskutojnë gjithashtu situatën në Lindjen e Mesme, përfshirë luftën në Gaza.
Disa ditë para vizitës së Erdoganit, Ankaraja njoftoi se hoqi dorë nga tarifat hakmarrëse të vendosura në vitin 2018 ndaj importeve amerikane, në një shenjë të zbutjes së marrëdhënieve dypalëshe.
Takimi i cili do të mbahet në Zyrën Ovale, do të jetë i mbyllur për shtypin.