Nga Gabriel Gavin “The Spectator”
Bulevardi Istiklal ka një pamje kaotike edhe në kohët më të mira. Ekuivalenti turk i Oxford Street në Stamboll është shumë i zhurmshëm nga mijëra këmbësorët, dhe plot me dyqane të shtrenjta, kafene dhe dyqane qebapësh të shtrenjtë. Grupe burrash ulen deri në orët e vona të natës nëpër stola duke pirë çaj dhe duke luajtur shah, ndërsa familjet që shëtisin fëmijët e vegjël me karroca përzihen me turistët duke konsumuar akullore dhe pasta.
Por të dielën e fundit, ky kaos i la vendin panikut të plotë kur një shpërthim ndodhi në zemër të qytetit më të madh sot në Evropë, të banuar nga më shumë se 15 milionë njerëz. Një blerës e kuptoi në çast se çfarë po ndodhte kur ndodhi shpërthimin në mesin e turmës, duke shpëtuar gratë dhe fëmijët që kishte pranë. Ndërkohë, imazhet nga Istiklal pak pas shpërthimit treguan trupa të gjymtuar dhe një kalldrëm të përcëlluar nga flakët.
Sipas presidentit turk Recep Tayip Erdogan, ky “sulm i pabesë” ka vrarë të paktën 6 persona, dhe ka plagosur 81 të tjerë. Zbulimi dhe kapja e autorëve, ka bërë të ditur ai, do të jetë e shpejtë dhe vendimtare. Deri tani thuhet se janë arrestuar 46 të dyshuar në lidhje me shpërthimin. Midis tyre është një grua e re që zyrtarët thonë se “vendosi bombën që shkaktoi shpërthimin”, ajo dyshohet se u kap nga kamerat e sigurisë pak çaste para shpërthimit.
Ankaraja nuk humbi shumë kohë për të treguar përgjegjësit e mundshëm. Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, deklaroi të hënën se sulmi u krye nga Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe aleatët e saj kurdë në Siri, YPG. Sipas tij, urdhri është dhënë nga selia e tyre në Sirinë Veriore.
Me një krizë ekonomike që po shpërthen në vend, Erdogan është i interesuar të fajësojë forcat e jashtme për të gjitha problemet me të cilat përballet Turqia. Për vite me radhë, forcat turke kanë luftuar në beteja kundër milicive në rajonin e shkëputur, ku grupet kurde e kishin forcuar pozitën e tyre pas humbjes së ISIS.
Javët e fundit, ata kishin planifikuar një ofensivë të re kundër tyre. Ndërkohë, pikërisht përtej kufirit brenda Turqisë, agjencitë e sigurisë po godasin prej kohësh ato që ata thonë se janë celula të rrezikshme terroriste midis popullsisë prej 15 milionë banorësh turko-kurdë, duke synuar aktivistët dhe gazetarët me lidhje të dyshuara me lëvizjet separatiste.
Megjithatë, kjo përplasje ka nxitur gjithashtu një ndarje të thelluar midis Turqisë dhe Perëndimit, pasi Erdogan e akuzon rregullisht SHBA-në për mbështetjen e PKK-së marksiste. Vitin e kaluar, ai kritikoi Shtëpinë e Bardhë të presidentit Joe Biden se “qëndronte prapa” grupit militant kurd që ekzekutoi 13 pengje turq në Irak, duke thirrur për sqarime ambasadorin e Uashingtonit në Ankara.
“Shumë njerëz në Turqi mendojnë se fuqitë perëndimore janë gati të shtypin vendin e tyre, të copëtojnë territorin e tij, dhe ta shkatërruar atë si një fuqi të madhe”- thotë për “The Spectator” profesoreshë Lisel Hintz, eksperte e politikës euroaziatike në Universitetin Xhon Hopkins.
“Dhe këtë perceptim e forcon edhe sjellja e BE-së në armatosjen e grupeve kurde në Siri”- shton ajo. Zyrtarët amerikanë e kanë mbrojtur mbështetjen ushtarake dhe politike për kurdët, bazuar në faktin se ata kanë qenë një nga forcat më efektive që luftuan kundër ISIS, ashtu edhe ndaj qeverisë brutale të diktatorit sirian Bashar Al Assad.
Ankaraja ka argumentuar vazhdimisht se e njëjta mbështetje po përdoret për të kryer sulme terroriste në territorin e Turqisë. Sulmi më bombë i së dielës në Istiklal, vetëm sa e ka intensifikuar atë retorikë dhe ka përfshirë në një grindje të ashpër më shumë nga partnerët e Amerikës. Shefi i sigurisë Soylu pretendon se po të mos kapej autorja e dyshuar, ajo dhe bashkëpunëtorët e saj do të ishin transferuar në një vend të sigurt në Greqinë fqinje.
Tensionet midis dy vendeve kanë arritur kulmin gjatë muajve të fundit. Ankaraja këmbëngul se pajisjet ushtarakë të SHBA-së po përdoren nga Athina në “pushtimin” e ishujve të kontestuar në detin Egje.
Avionët luftarakë turq kanë shkelur në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore të fqinjit të tyre, ndërsa komandantët e tyre bënë një notë proteste pasi një raketë e armatosur anti-ajrore greke kaloi shumë pranë njërit prej avionëve të tyre.
Pavarësisht se të dyja vendet janë anëtare të NATO-s, analistët thonë se mundësia e një incidenti të rëndë është shumë e lartë. Politikanët dhe mediat turke pretendojnë shpesh se kombi i tyre është në shënjestër të një koalicioni perëndimor që dëshiron ta shohë atë të dobësuar dhe të shpërbërë.
Në të njëjtën kohë, një Erdogan i inkurajuar po e sheh gjithnjë e më shumë veten në anën e kundërt të konflikteve të tjera me SHBA-në dhe aleatët e saj. Turqia e ka shtuar praninë e saj në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Kaukaz, ndërsa ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj naftës dhe gazit rus.
Gjatë verës që kaloi, Ankaraja kërcënoi më vendosjen e vetos ndaj kërkesave të Suedisë dhe Finlandës për t’iu bashkuar NATO-s, në se ato nuk ndërmarrin “hapa konkretë” për të ekstraduar terroristët e dyshuar kurdë që jetojnë atje, për t’u përballur me gjyqin në Turqi. Duke shfrytëzuar rastin, ai siguroi një marrëveshje, pavarësisht frikës se kurdët do të trajtoheshin në mënyrë të padrejtë.
“Amerika ka vrarë njerëz duke i braktisur ata që nga momenti kur u nis avioni i fundit ndërsa ata u arratisen nga Afganistani”- deklaroi Soylu në ceremoninë e hapjes së një shkolle që mban emrin e një oficeri të marinës turke “të rënë martir” në Siri të dielën, disa orë para shpërthimit në Stamboll.
“Ata thanë se do të sillnin demokracinë në Irak, dhe paqen në Afganistan. Por bota i sheh këto gjëra ashtu siç janë”- shtoi ai. Ndërsa Erdogan përgatitet të përballet me votuesit qershorin e vitit të ardhshëm dhe të kërkojë një mandat të tretë të paprecedentë në detyrë,
ai po e portretizon gjithnjë e më shumë veten si i vetmi që mund t’i rezistojë këtij koalicioni armiqsh, të brendshëm dhe të jashtëm.
Dhe në kushtet e një krizë ekonomike të rëndë që ka përfshirë vendin, duke e çuar inflacionin në mbi 90 për qind, dhe duke sjellë dyfishimin e çmimit të produkteve bazë, Erdogan është i etur që të fajësojë të jashtmit si përgjegjës për problemet me të cilat po përballet aktualisht Turqia.
Ndërsa Stambolli mban zi për njerëzit e pafajshëm të vrarë dhe të gjymtuar në sulmin e së dielës, pasojat politike sapo kanë filluar të ndihen. Është e qartë se valët goditëse të këtij sulmi do të tronditin edhe një herë armëpushimin e brishtë midis Turqisë dhe Perëndimit.
/albeu.com